Dy fjalë rreth Trandofilishtes
dhe gjuhës së përdorur në të
﷽
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Me emrin e Zotit, gjithëmëshiruesit dashurues, të plotëmëshirshmit dashurues!
Së pari ju urojmë mirëseardhjen në Trandofilishte! Urojmë që të jetë një vend i pastër dhe qetësues për zemrat tuaja!
Ideja e emrit të Trandofilishtes ka rrjedhur nga libri i mirënjohur persian "Gjylistani", i sufiut të madh Sa'adiut, që në shqip përkon me një kopsht me trëndafila ose trëndafilishte. Trëndafili ka simbolikë të jashtëzakonshme në tradita të ndryshme shpirtërore dhe sidomos në traditën e përshpirtshme islame. Ai është simbol i profetit tonë të dashur, Muhammed Mustafasë - paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij të pastër. Pra, duke qenë se Trandofilishta si synim parësor ka mbledhjen e poezive dhe muhabeteve nga tradita e tesavvufit ose thënë ndryshe "përshpirtshmërisë islame", atëherë e pamë të arsyeshme emërtimin e faqes si një kopsht me trëndafila ku trëndafilat janë evlijatë (shokët dhe të dashurit e Zotit), sulltani i të cilëve është Muhammed Mustafaja.
༻ ༺
Por, siç do të thoshte Hafizi: Ky muhabet asht i gjatë!
Prandaj vendosëm t'i themi dy fjalë rreth gjuhës së përdorur në këtë platformë. Duket qartas se këtu gjendet një mori dialektesh në përkthime, në shënime të ndryshme etj. Kjo ndodh për shumë arsye, disa ndër të cilat janë:
Tradita e gjuhës shqipe dhe sidomos tradita e tasawwufit në shqip nuk fillon me standarden. Shumica e letërsisë së bejtexhinjëve për shembull, apo ilahive kanë qenë shkruar dhe kënduar në nuanca të ndryshme dialektore, qofshin ato gegë apo toskë. Dhe, për shkak se dialektet shprehin më mirë, sipas mendimit dhe ndjesisë sonë, shpirtin e popullit kemi vendosur që të mos flasim dhe të mos përkthejmë vetëm në gjuhën letrare.
Shumica e shkrimeve që gjenden në Trandofilishte janë të shkruara në dialektin gegë apo në gjuhën e folur në Kosovë. Kjo vjen si rrjedhojë e faktit se ata që gjenden pas kësaj platforme i përkasin kryesisht kësaj zone. Padyshim kjo nuk do të thotë se këtu s'do mund të gjeni pjesë nga dialekti toskë apo nga nuanca të tjera të gjuhës shqipe. Në këtë faqe ne përpiqemi të shprehim dashurinë tonë për çdo pasqyrim të shqipes dhe shpresojmë fort që çdo shqipfolës do të gjejë sadopak veten në shkrimet e materialet e ndara këtu.
Urojmë të kemi mirëkuptimin tuaj për këtë çështje!
Me shumë paqe e dashuri/dashni,
Trandofilishta
30 shtator 2021