Annemarie Schimmel
Mevlana Rumi dhe Salahudin Zerkubi
﷽
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Mevlana Rumi dhe Salahudin Zerkubi
- miku ma i ngushtë i Mevlanës mbas zhdukjes së Shamsi Tabrizit
Jo shumë mbasi Mevlana e pat zbulue identitetin e vet me Shamsudinin, ai e gjeti nji burim të ri të inspirimit mistik. Tregohet qi nji ditë ai eci nëpër pazarin e arpunuesve në Konja. Tuj ndigju tingujt melodik të goditjeve me çekiç në dyqanin e Salahudin Zerkubit, mbasi e kapi nji dalldi mistike ai filloi me u rrotullue. Ai e thirri edhe Salahudinin me iu bashkue e të dy vallëzuen për nji kohë në pazar. Masnej Salahudini iu kthye punës, ama Rumi vazhdoi me u rrotullue me orë t'tana.
Ky rrëfim mundet më kenë i vërtetë, po nuk duhet me harrue qi Xhelaludini e ka njoftë Salahudin artarin shumë vjet ma parë. Djali i ri i cili vinte prej nji katundi të fushave të Konjas pat ardh në kryeqytet në vitet 1230-ta. Ai u ba nji ndër dervishtë ma të preferuem të Burhanudin Muhakikut, mjeshtrit të Xhelaludinit. Ai i përngjante shehut të tij me atë pamje të thjeshtë e prej asketi. Për ate, u emërue si halife prej Burhanudinit, pra si pasardhësi shpirtnor i tij, pavarsisht se ishte i palexueshëm (analfabet). Ma vonë Salahudini u kthye në katundin e vet ku u martue e pati disa fëmijë. Mbas kësaj, ai u kthye edhe njiherë në Konja edhe i ndejti pranë Mevlana Xhelaludinit të cilin e donte edhe e çmonte shumë. Takimi i Xhelaludinit me Shamsin shpesh bahej në dhomën e tij. Prandej, nji marrëdhanie e dyfisht në mes dy mistikëve ekzistonte shumë ma përpara se Rumi ta ndiente ate. Mbas përjetimit të mrekullisë së ashkut të përkryem, ai pati nevojë për nji pasqyrë, e ate e gjeti te mendje-thjeshti Salahudin, i cili, i pastruem prej çashtjeve të dynjasë, ia dha atij shoqninë qi i nevojitej, kështu tue ndihmue me e gjetë prap vetveten. Ndryshimin e formave të jashtme me anë të të cilave i dashtuni shpërfaqë vetveten Rumi e përshkruen kështu:
Ai,
qi vjetve t'kaluem
erdh me fustanellë t'kuqe
n'kit vjet ka ardh
me ni t'veshun bojë kafe.
Ai turku,
qi pati ndi për ta njat vakt
sivjet u shpërfaq
si nji arab.
Miku asht njo,
pos tesha o ndryshe,
Ai e ndrroi teshën
e u rikthye.
Vena asht njo,
pos shisha o ndryshe,
o me sa hijeshi
na deh kjo venë neve! 1
S'asht nevoja me u thanë qi banorët e Konjasë të cilët veç sa ishin gëzu me zhdukjen e Shamsudinit, u tronditën shumë kur e morën vesh se Mevlana Xhelaludini e drejtoi ashkun e tij kah arpunuesi i cili, sipas xhelozuesve, nuk dinte me këndue as fatihan mirë. Shamsi tek e fundit ka kenë nji njeri i edukuem, influencën e të cilit njeriu e pranonte edhe pse me pahir. Ama Mevlana edhe arpunuesi nuk ua vunë veshin thashethemeve e shpifjeve; bashkimi i tyne shpirtnor qe i paqtë e i fellë. Nganjiherë Rumi e lavdonte mikun e tij të ri, i cili pak a shumë ka kenë i nji moshe me te, në vargje të ndjeshme e të dashtuna. Në nji kapitull të Fihi ma Fihit, Rumi e qorton njifar Ibn Çavushi i cili pat folë kundër Salahudinit:
Njerëzit e kanë lanë vendin, baballarët e nanat, shpitë, fisin e familjet e tyne e kanë marrë udhë prej Hindit në Sind, e janë kputë tuj marue çizme prej hekuri me shpresën qi me takue nji njeri i cili ka aromën e botës tjetër... A ju, ju e keni takue nji njeri të tillë, këtu, në shpinë e juj, e ia ktheni shpinën atij. Kjo përnjimend asht nji fatkeqësi e pamatuni... 2
Për me e forcue këtë marrëdhanie të re, Xhelaludini e martoi të bijën e Salahudinit, Fatimen, me djalin e tij, Sulltan Veledin, i cili atëherë qe në mes të njizetave.
...
________
1 Divani Kabir, ed Furuzânfar, 650/6778 f.; shprehja e njajtë gjindet edhe te Velednamen e Sulltan Veledit. ed. Xh. Homâ'i
2 Fihi ma Fihi, në përkthimin e A. J. Arberry, "Discourses of Rumi" 106, f..
Pjesë marrë nga libri i Schimmel A., The Trimphal Sun [shq. Dielli Ngadhënjyes], fq. 25-26.
[Great Britain: State University of New York Press, Albany, 1993]
Përktheu: Trandofilishta (Gusht, 2022)
Fotografia: Andy M.