Hazreti Inajat Han
Muzika esoterike
﷽
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Shkrim i publikuem në "The Indian Magazine"
Korrik, 1913
Në bazë të botëkuptimit esoterik, muzika asht fillimi dhe fundi i universit. Krejt veprimet e lëvizjet e bame në botën e dukshme e të padukshme janë muzikore, qi i bjen se ato janë të përbame prej vibrimeve qi i përkasin nji rrafshi të caktuem ekzistencial. Muzika ka emnin sangita në sanskrishte, qi i vnon në pah tri gjana: këndimin, luejtjen edhe vallëzimin. Kto trija kombinohen në çdo veprim. Për shembull, në veprimin e të folunit ekziston zani qi e vnon në pah këndimin, artikulimi i fjalëve vnon në pah luejtjen, lëvizjet e trupit njiashtu edhe shprehjet e fytyrës vnojnë në pah vallëzimin.
Krejt muzika orientale asht e bazueme në baza filozofike e shpirtnore. Shpikësi i saj ka kenë Mahadeva, zoti i jogistëve, edhe përformuesja e shoqënuesja e dashtun e tij Parvati. Krishna, mishërimi i Zotit, ka kenë nji muzikant ekspert qi magjepsi të dy botnat me muzikën e fyellit të tij duke i ba jogistët me vallëzu. Bharata Muni, nji ndër shenjtorët ma të mdhenjë hindu, qe autori i parë i muzikës. Mistikët, si Narada edhe Tumbara, kanë kenë muzikantë të mdhenjë. Në parajsën e hinduve, Zoti Indra zbavitet me këndimin klasik të Gandharvas edhe vallëzimin e Apsaras. Hyjnesha e muzikës asht Sarasvati e cila njiashtu asht hyjnesha e urtisë. Ajo asht nji ashike e madhe e vinës. Tanë sistemi i religjionit edhe filozofisë hinduiste asht i bazuem në shkencën e vibrimeve qi me emër njifet si Nada Brahma, Tingulli - Zot.
Poeti Shamsi Tabrizi kur flet rreth krijimit, thotë qi krejt misteri i universit qindron në tingull. Ky fakt asht shpreh në Kuran njiashtu dhe Bibël.
Vibrimet e holla nëpërmes veprimit bahen ma të vrazhda në cilësi. Ato krijojnë fushat e ndryshme të ekzistencës tue përfundu deri te manifestimi fizik, njiashtu si uji i ngrimë qi shëndrrohet në borë. Pra, veprimi i shumtë i materializon vibrimet. Veprimi i paktë i eterizon ato, qi kallxon se shpirti edhe materia janë të njajta në nji t'kuptuem ma të naltë. Shpirti zbret në materie prej ligjit të vibrimit, edhe materia njiashtu mundet me u naltësu drejt shpirtit me po ate ligj. Jogistët edhe sufijtë e mdhenjë gjithmonë kanë shku drejt mekameve ma të nalta të së përkryemës me ndihmën e praktikave të tyne, duke u eteru me anë të dijes së vibrimeve.
Tingulli material i instrumenteve, ose zani i prodhuem prej organeve zanore të njeriut, në të vërtetë asht prodhimi i tingullit universal të sferave qi mundet me u ndigju vetëm prej atyne qi janë të akorduem me te. Kjo gjendje prej jogistëve emërtohet si anahad nada, e prej sufijve si saut-e-sarmad.
Muzikanti edhe ashiku i muzikës rafinohen edhe drejtohen drejt botnave ma të nalta të tingullit. Sufijtë e humbin vehten e tyne në tinguj edhe atë humbje e emërtojnë si dalldi, apo masti. Fuqitë okulte dhe telepatike vijnë mbas përjetimit të kësaj dalldie, edhe dija e t'dukshmes edhe t'padukshmes çvelohet. Kjo hare e paqes e e' lumtunisë asht e arritshme veç për jogistët edhe sufijtë qi janë të interesuem në artin hyjnor të muzikës.
Thujse se krejt muzikantët e Orientit janë ba shenjtorë përmes fuqisë së muzikës. Muzikatët ma të vonshëm të Indisë, si Tanseni edhe Mevlana Bakhshi, janë shembuj të jashtëzakonshëm të përkryemjes shpirtnore përmes muzikës.
Marrë nga libri: Hazrat Inayat Khan, The Mysticism of Sound and Music: The Sufi Teachings of Hazrat Inayat Khan [shq. Misticizmi i tingullit dhe muzikës: Mësimet sufiste të Hazreti Inajat Han-it] (Geneva: Shambhala, 1996).
Përktheu: Trandofilishta (2021)