Hazreti Inajat Han
Dy fjalë rreth muzikës

Bismilahi Rrahmâni Rrahîm 

PROLOGU

 

KAM HEQ DORË prej muzikës sepse kam marr prej saj krejt çka duhet me marr. Për me i ba hyzmet Zotit duhet me e ba kurban gjanë ma të dashtun, edhe unë e kam ba kurban muzikën tem, gjanë ma të dashtun për mu.


Kam kompozu kangë, kam këndu, edhe i kam ra vinës. Tue praktiku këtë muzikë kam mbrri me nji stad ku kam prekë muzikën e sferave. Masnej, çdo shpirt u ba për mu nji notë muzikore, e e gjithë jeta m'u ba muzikë. I inspirum prej saj unë u kam folë njerëzve, e ata qi m'i ndigjonin fjalët i ndigjonin ato në vend të kangëve të mia.


Tash, nëse unë baj diçka, ajo asht me i akordu shpirtnat në vend të instrumenteve, me i harmonizu njerëzit në vend të notave. Nëse ka diçka në filozofinë tem, ai asht ligji i harmonisë: ligji ku njeriu duhet me u harmonizu me veten dhe me tjertë.


Në çdo fjalë kam gjetë nji vlerë muzikore, në çdo mendim nji melodi, në çdo ndjenjë harmoni, edhe jam mundu qi ta interpretoj po të njajtën gja me fjalë të qarta dhe të thjeshta tek ata qi e kanë ndigju muzikën tem.


I kam ra vinës deri sa zemra jem u shndërru në po at instrument. Masnej, ia ofrova këtë instrument Muzikantit Hyjnor, muzikantit të vetëm në ekzistencë. Prej atëherë unë jam ba fyelli i Tij, dhe vetëm kur të vendos Ai, e luen muzikën e Tij.

Njerëzit më nderojnë për këtë muzikë qi, në të vërtetë, nuk asht prej meje, po asht prej Muzikantit qi e luen instrumentin e Tij.