Transkriptimi i fjalimit
Dashuria është misteri më i madh i krijimit. Ai është sekreti që ne si sufistë e mbartim për krijmin. Prandaj jemi mu në qendër të krijimit, prandaj s’mund të jemi cepave apo jashtë tij. Ne jemi gjithmonë të përfshirë në të sepse ne e mbartim këtë këngë të dashurisë, këtë pasion që është dashuria e Tij për Vetveten. Dashurinë e të Dashurit tonë për Vetveten, te shprehur në këtë manifestim të jashtëzakonshëm, ne e quajmë jetë, e quajmë krijim. Kjo është ajo që e jetojmë. Po, ka energji jetësohen dhe ka një vetëdije të kësaj pamjeje më të gjerë, që na nxjerrë jashtë nga ky bosht vertikal i marrëdhënies sonë me Zotin, drejt një lidhje dashurie që përfshin gjithçka dhe ne të gjithë. E bukura e kësaj është se janë dy aspekte të kësaj lidhjeje dashurie. Kur jemi në gjumë apo kur jemi në meditim ne jemi larg trupave, mendjeve tona, larg psikës dhe botës së jashtme, me thelbin e kësaj dashurie dhe formën e saj të pastër. Ashtu siç tha dikush dje: mund të zgjohesh në mëngjes apo të dalësh nga meditimi duke të të rrahur zemra, dhe nganjëherë është një aromë e dickaje tjetër e cila kthehet, por atëkohë ne jemi zgjuar dhe jemi në këtë botë, të përfshirë me njerëz, vështirësi dhe çdo gjë jetësore. Por, kjo poashtu është marrëdhënia e Tij e dashurisë. Kjo është poashtu manifestimi i jashtëzakonshëm i dashurisë së Tij, sepse ç'është jeta pos manifestim i dashurisë së të Dashurit tonë? Ai po e shpreh Veten dhe dashurinë e Tij në shumë mënyra. Dashuria e Tij nuk është vetëm diçka e ëmbël, ajo është poashtu diçka e lemerishme. Ajo përfshin fatkeqësi, cunami, njerëz në vuajtje dhe në uri. Kjo është gjithashtu dashuria e Tij. Sikurse në një shkallë më të ngushtë, kur jeni në dashuri me dikë, ajo nuk përmban vetëm ëmbëlsi dhe lumturi, por përmban edhe brenga, vështirësi e probleme që vijnë mes të dy juve. Po ashtu rrënim dhe uri. Të gjitha këto janë pjesë e dashurisë. Dashuria nuk i përketë një kutize të këndshme ku ne hyjmë dhe e shijojmë kur ndihemi mirë. Pra, të qenurit mistik do të thotë të jesh i gjallë në pasionin e çastit, në pasionin që përfshin gjithçka. Në momentin kur thoni: “E dua këtë, por jo atë”, ju nuk jeni një mistik, sepse jeni duke e prerë të Dashurin si me thikë dhe jeni duke e etiketuar. Ne nuk e dimë se cila pjesë e jetës sonë është më e rëndësishmja. Ne nuk e dimë se cili është ai xhevahir i veçantë me anën e të cilit i Dashuri është duke shprehur Vetveten. Ne nuk e dimë se cili është ai moment, nē tē cilin misteri i Tij bēhet mē i dukshēm karshi momentit tjetēr. Neve na pëlqen të mendojmë se e dimë, pasi kjo na jep një ndjenjë sigurie, ndjenjën e udhëzimit të të diturit se ç'po bëjmë. Por ne nuk dimë. Kjo është një ndër arsyet se përse ne si sufistë duhet të jemi të gjallë në çdo moment.
Është një rrëfim i çuditshëm mbi një njeri i cili shumë kohë më parë shkoi të intervistonte Bhai Sahibin. Miguel Serrano, autor i një ndër librave të rrallë të cilët kanë një kapitull mbi Bhai Sahibin, libër i cili nuk është më në shtyp. Ai shkoi te jogistët e shenjtorët e Indisë. Po ashtu ai vizitoi Bhai Sahibin dhe është një kapitull mbi takimin e tij me këtë shenjtor hindu-sufist. Është interesante pasi Bhai Sahibi i rrëfen atij një tregim mbi një njeri i cili kaloi jetën e tij në kërkim të Budës. Ishte koha e Budës kur ai e kërkonte atë. Një ditë prej ditësh, ai shkon në një shitore çapati dhe teksa ishte aty, Buda i kaloi pranë. Por ai nuk e vuri re atë. Ajo që ishte interesante është se Miguel Serrano e tregon këtë vetëm si një rrëfim nga sufistët, jogistët, shenjtorët apo të tjerët që ai takoi në Indi. Sigurisht që rrëfimi lë hapësirë për dykuptimësi, pasi Miguel Serrano nuk e dinte që ishte në praninë e një mjeshtri të madh. Ai e humbi mundësinë që i erdhi. Bhai Sahibi po i tregonte se ç’po ndodhte me të kurse Miguel Serrano e shkruajti vetëm si një rrëfim sufist të radhës. Pra, ne nuk e dimë se kur është momenti më i çmuar. Kjo është një ndër arsyet se përse stërvitemi të jemi gjithnjë të zgjuar dhe të vëmendshëm. Është një thënie në Bibël e cila thotë: “Nusja asnjëherë nuk e di minutën kur vjen dhëndëri”. Prandaj, nusja është gjithnjë në pritje. Kjo është një ndër detyrat e dashuruesit, të presë të dashurin e tij. Të jetë gjithnjë i vëmendshëm, gjithnjë në pritje. Çfarë momenti është ky?! Ne nuk e dimë. Mendjet mëtojnë të japin korniza referenciale, por ne nuk i njohim kornizat referenciale, sidomos tani që shumë rrugë të moçme të zbulesës janë mbyllur dhe nuk janë shkruar libra mbi rrugët e reja të zbulesës. Për këtë shkak, libri i parë që kam shkruajtur në lidhje me këtë energji quhet “Shenjat e Zotit”, e cila si temë kryesore trajton se si shenjat e Zotit janë duke ndryshuar. Mënyrat e vjetra të zbulesës janë duke u mbyllur dhe shenjat e reja të Zotit janë ndryshe. Ndryshimi qëndron se ato tanimë gjenden më shumë në tregje, në mes të përdishmërisë dhe ne ende s’e dimë se si duken. Çdo gjë në krijim është i Dashuri duke i folur të Dashurit. Çdo gjë është një zbulesë dhe çdo gjë që ekziston është një shprehje e qëllimit Hyjnor. Por, ka diçka që na flet më drejtpërsëdrejti. Mund të thuhet se disa gjëra kanë emrat tanë në to. Sigurisht, i Dashuri bën shumë shaka me ne dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë. Në traditën tonë kristiane kemi humbur kontaktin me “mashtruesin” e dashurisë dhe me “mashtruesin” e të dashurit. Mbajeni në mend që, Ai nuk luan në bazë të rregullave tona. Atij i pëlqen që të bëjë shaka me ne. Si në çdo marrëdhënie dashurie, e tëra është një lojë dhe janë disa momente në të cilat një pjesë e krijimit të Tij na flet drejtpërsëdrejti. Ato kanë emrat tanë në to. Nganjëherë ju ndodhin këto sinkronizime të çuditshme. Për shembull, shihni në ëndërr diçka para së të ketë ndodhur. Kjo është kur jeta të gjuan rafte librash në prehër. Disa nga këto janë të qarta dhe disa janë si shenja të cilat thonë: “Zgjohuni, kam një të dhënë, një mesazh për ju”. Disa nga këto momente janë më të çmuara, më delikate, kurse disa të tjera janë më të mbuluara. Për të tjerat ju duhet të jeni duke dëgjuar me kujdes për t’i kuptuar. Kjo për arsye se bota nuk është një gjë e vdekur dhe e pandryshueshme, por është jashtëzakonisht e gjallë dhe e rrjedhshme. Ajo në çdo çast është krijim i Tij. Ndaj thuhet që është duke u rikrijuar përherë, në çdo çast. Ne mendojmë që është një strukturë e pandryshueshme, por nuk është kështu. Ajo është duke ndryshuar përherë. Pra, si në çdo mardhënie dashurie ju duhet të jeni të zgjuar dhe të vëmendshëm. Ju duhet të mësoni se si të vini vesh. Nevojat e të Dashurit sot mund të jetë ndryshe nga nevojat e djeshme. Nëse ju nuk mund ta sillni elementin e pasionit, dashurisë, vëmendjes në mardhënien tuaj me jetën shpirtërore, atëherë ç’kuptim ka e gjithë kjo?! Ajo kthehet thjesht në një praktikë që bëni ose synim që krijoni, por këto janë të vdekura. Mbas një farë kohe plakeni dhe zhgënjeheni. Nuk ka ndonjë gjë më të trishtë se një kërkues i vjetër i shpirtësisë. Ai i përngjan një dashuruesi përherë të zhgënjyer që shpreson akoma.
Siç e shihni, përsëri e kemi vendosur këtë marrëdhënie dashurie në lidhjen e brendshme me Zotin. Këtë gjë të brendshme, intime. Po, e ka këtë cilësi. Dikush mund të rrijë zgjuar natën dhe i Dashuri të jetë me të. Dikush mund të jetë në meditim dhe ndjen atë intimitet të dashurisë. Kjo është e jashtëzakonshme. Asgjë s’mund të krahasohet me të. Ajo prekje e butë e flatrave të të Dashurit, të buzëve të tij, çaste të një dehjeje të ëmbël. Dritë, që nuk e dini nga vjen. Ajo ëndërr në të cilën ky i Dashur vjen te ju, ju merr, ju përqafon. Ne të gjithë e kemi ndjerë këtë në mënyra të ndryshme, në të kundërtën nuk do të ishim këtu. Sufistët janë të rrëmbyer nga dashuria për Zotin. Por ç’është e trishtueshme, është se ne e kufizojmë Atë, e vendosim në një kornizë. Themi: “Kjo është ajo çfarë unë dua”, në vend që të themi: “I Dashur, si vallë do ta shpërfaqësh Veten Tënde tek unë sot?” Ta bësh pjesë të çdo gjëje, pjesë të të gjithë krijimit, sepse çdo pjesë e krijimit është një dashurues që pret të Dashurin e tij. Ajo ç’është tepër interesante në këtë moment, është se i gjithë krijimi është ndarë nga i Dashuri i tij që prej një kohe të gjatë. Ne po i afrohemi fundit të një epoke ndarjeje. Kjo ka ndikuar te ne në mënyra të ndryshme. Ka krijuar “individin” me të cilin ne krenohemi, këtë ndjesi të ndarjes nga prindërit tanë, nga familjet tona, dhe nga njëri-tjetri. Pra, është krijuar një kulturë e tëhuajtësuar që është ndarë nga çdo gjë. Një kulturë që është bërë e izoluar dhe e vetmuar. Njerëzit sot në kulturën tonë janë të vetmuar. Për shembull nëse do të kishit jetuar në një familje indiane para 200 vitesh, vetmia nuk do të ishte një mundësi zgjedhjeje, as edhe për asketët (sadhus) që jetonin në pyje. Pra, kjo ndarje ka shkaktuar krijimin e individit që ka sjellë ndarjen tonë nga natyra, nga jeta, nga ritmet e jetës. Ajo që kemi arritur të kuptojmë viteve të fundit është se kjo ka shkaktuar ndarjen e jetës nga Zoti. Besoj që kjo ka qenë pjesë e planit. Kjo e tëra është pjesë e misterit të zbulesës së Tij. Por, sigurisht kjo u përdor më vonë nga Kisha në favor të politikave për pushtet. Pasi, nëse Zoti është në parajsë, atëherë ata janë e vetmja udhë për tek Ai. Kështu që ata kanë pushtetin dhe ne kemi ngecur këtu në tokë. Pastaj bota kishte të bënte me “femëroren”, dhe ajo sigurisht është “mëkatare” etj. Kështu që u hap e tërë kjo largësi mes qiellit dhe tokës, kjo dysi.
Është një shaka, nëse arrij ta kuptoj drejt, për dy murgjit që kopjonin dhe regjistronin dorëshkrimet e lashta në manastir. Murgjit i kopjonin ato shumë ngadalë me ilustrime të imëta përreth. Kur dikush i pa ato tha: “Prej nga është kopjuar kjo pjesë mbi ligjin e murgërisë?”. Ai pastaj shkon te kryemurgu, dhe kryemurgu i thotë: “Kjo ka kaluar kopjim pas kopjimi pas kopjimi për aq gjatë sa gati se e kemi harruar burimin e saj”. Pastaj pyesin: “Por ku është pjesa origjinale?” Ai përgjigjet: "Eh pra, ajo është e shkruar në një gjuhë të lashtë në kupolat e manastirit." Murgu riosh thotë: “Dua të shkoj dhe ta shoh”. Ai shkon mu te raftet e mbushura me pluhur dhe pirgjet me dorëshkrime që janë shkruar shekuj e shekuj më parë. Ai e gjen librin, e merr dhe e hap; e fryen pluhurin nga fletët dhe e shtrin afër transkriptës së fundit që është kopjuar e kopjuar dhe e shikon me mjaft vëmendje. E shikon të lashtën dhe e shikon tashmë të kopjuarën. I shikon prapë e thotë: “Mendoj se ka pasur një përkthim të gabuar në rregullat e murgërisë. E shikoj me vëmendje dhe nuk mendoj që thotë “celibate” (beqar) por mendoj se thotë “celebrate” (festoni). Pra, mund ta vëreni problemin. Aty paskësh qenë ky keqpërkthim dhe ne paskëshim vuajtur qëkur. Më e keqja është se ne e kemi pranuar këtë si rregull.
Ç’është interesante është se teksa bota është duke vdekur, ne kemi filluar të kuptojmë se ajo është e gjallë. Ne tani e shohim ekologjikisht që ajo po vdes. Ne e kemi ndotur dhe zvetënuar atë deri në atë shkallë saqë ajo tashmë po vdes. Mirëpo, gjersa po rritesha, njerëzit as që mendonin se bota është diçka e gjallë. Ajo ishte diçka që mund të kultivoje në të apo të nxirrje minerale prej saj, kaq. Ajo sillte ushqim në tavolinë, por askush nuk mendonte se është qenie e gjallë. E tani që po vdes, mendohemi: “Oh, a mos ndoshta është e gjallë?!” Pra, ç'po përpiqem të them është se kur vijmë në fund të një periudhe ndarjeje, që në fakt kemi ardhur, harrojmë se gjendja nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ne e kemi harruar që bota në një kohë ka qenë e mbushur me Praninë Hyjnore, kur gjithçka është parë si gjë sakrale. Ne lexojmë në librat e kohës së sotme se gjithçka është e sakrale. Ne zor që kemi qeliza të cilat mbajnë këso kujtimesh të lashta: të cilat janë mbase 2, 3, 4 mijë vite të lashta. U bë një kohë e gjatë që kur klerikët erdhën dhe i prenë lidhjet sakrale. Çfarë do të thotë kjo për një dashurues? Do të thotë që ne kemi harruar se i Dashuri është këtu. Kemi harruar që gjithçka është marrëdhënie dashurie me Të.
Në vetë përvojën tuaj, ne vërejmë se i kemi këto kohë ndarjeje. Mistikët e dinë se ne kemi këto kohë ndarjeje, këto shkretëtira, përmallime të ndarjes, të cilat mund të jenë shumë të dhimbshme dhe mund të zgjasin me muaj madje ndonjëherë edhe me vite. Porse, pa dyshim ato pasohen nga një kohë bashkimi, afërsie e ëmbëlsie, nga një moment kur i Dashuri rikthehet e na përvetëson përsëri. Nëse do të ishte vetëm ndarja e tërë ajo çfarë ju dinit, ju nuk do të ishit këtu. Por, për shkak se keni një shije të një dijeje tjetër, të një dijeje që i Dashuri do të rikthehet prapë te ju për t'ju këndellur në një mënyrë që ju as do ta kishit përfytyruar ndonjëherë. Kjo është një ndër të fshehtat mistike, kur i Dashuri rikthehet dhe ju zgjon në aso lloj mënyrash që s'keni mundur t'i mendoni. Ai është një Dashurues. Ai ju zgjon në mënyrat më të jashtëzakonshme. Ai ju zgjon mu në ato vende ku ju as që e keni ditur se jeni duke fjetur. Pse na ndodh kjo gjë vetëm neve? Pse nuk mund t’i ndodhë edhe botës? A nuk është kjo ajo që ndodh në epokën e ndarjes? I Dashuri i rikthehet botës së Tij, mirëpo, nevojitet që Ai të mirëpritet në botën e Tij. Ju lypset ta mirëprisni rikthimin e të Dashurit tuaj. Një pjesë e përmallimit tuaj është një thirrje ndaj Tij.
Pjesë e punës së të qenurit dashurues është ta presësh, ta mirëpresësh të Dashurin. Prandaj unë përherë e pëlqej një person që para ca vitesh erdhi në grupin tonë dhe më tha vetëm tre gjëra. Ai tha: “Të presësh, të jesh i gatshëm dhe të dëshirosh”. Kjo është paraqitja më e mirë që më ka dhënë dikush përsa i takon rrugës sufiste. Sigurisht, është një thënie nga Dickens-i “Të presësh, të jesh i gatshëm dhe të dëshirosh”. Pra, ne po presim për Të dhe jemi të gatshëm që të marrim pjesë në gjithë këtë mister të dashurisë. Ne poashtu dëshirojmë, oh Zot, sa shumë dëshirojmë. Ne gjithashtu jemi pjesë e jetës e cila po e pret Atë, për këtë shkak dhe jemi këtu.
Kur unë flas për ta zbritur energjinë, ajo tingëllon shumë interesante dhe paksa abstrakte. Siç e dini ne jemi “shndërruesit shpirtërorë të energjisë” etj. Por nëse flas për shembull për mardhëniet orgazmike të dashurisë edhe kjo i bie ta zbresësh energjinë apo jo?! A nuk i bie të jesh marrës i energjisë edhe kjo? Shpresoj… Ne jemi gjithaq pjesë e jetës duke pritur rikthimin e të Dashurit, dhe nga ç’duket prej shenjave, udhëzimeve, ëndrrave, vegimeve, që dikush përjeton, këtu qëndron mundësia se Ai është duke u rikthyer. Këto janë si shenja në horizont. Do të ndaj me ju një vegim ose ëndërr që dikush e kishte parë para ca kohësh: “U zgjova një natë dhe e gjeta veten duke qëndruar me Llewellyn në zgrip ose përtej zgripit të botës duke shikuar diçka. E shihja botën si diçka që gjatë gjithë kohës ndërronte formë dhe ngjyrë. Mu si një deng vellosh të holla me të cilat luante era. Ishte e mbërthyer dhe e përshkuar nga një buzëqeshje e ndjerë… ishte këso dashurie. Por, kjo nuk ishte ajo çfarë ne njëmend ishim duke parë, gjithçka dukej sheshit. Vëmendja jonë ishte e përqëndruar në të papërshkrueshmen Fuqi që vinte nga mbrapa, nga një e përtejme e pakapshme. Duke u ngritur, shfaqur, lëvizur drejt botëve. S’ishte si një vegim, më shumë u ndjeva thjesht i pranishëm në një gjendje që është, ka qenë e do të jetë përgjithnjë. S’isha përherë i vetëdijshëm. Isha thjeshtë i vetëdijshëm dhe i pranishëm në atë çast. Ishte aq qetësi; asnjë zë, asnjë lëvizje, thjesht isha i pranishëm dhe vështroja. Ky përjetim ishte aq i përnjëmendtë dhe aq i kompletuar sa që nuk mungonte asgjë. Në praninë e asaj fuqie nuk kishte asgjë që kishte rëndësi, që ekzistonte apo nuk ekzistonte. Duket sikur krejt qëllimi është tek të qenurit dhe të dëshmuarit. I gjithë procesi i të menduarit rreth një pune të caktuar duket se është një iluzion. Është kjo shenjë, ky sugjerim…
Vjeshtën e kaluar e tregova ëndrrën rreth fuqisë që zbret drejt tokës, fuqisë së të Dashurit tonë. Rreth faktit se Ai do ta përvetësojë dhe do t’i rikthehet sërish botës së Tij dhe se epoka e ndarjes ka mbaruar. Ne jemi këtu për ta mirëpritur Atë. Ne jemi këtu për ta mirëpritur të Dashurin tonë me gjithë fuqinë në madhështinë dhe bukurinë e Tij. Një pjesë e punës sonë është që të jemi të pranishëm, të presim dhe të dëshmojmë se ç’ndodh. Të jemi të pranishëm për të Dashurin tonë, për intensitetin, fuqinë dhe pasionin që Ai ka për botën e Tij. Kjo botë, siç e dimë, është lidhja e Tij dashurore, është krjimi i Tij orgazmik. Po, është një tërësi ekologjike dhe kështu me radhë, por ne e dimë se ajo është edhe diçka tjetër. Sepse ne vetë e kemi këtë pasion të brendashkruar, i cili na është dhënë nga Zoti që të mund ta njohim pjesërisht Atë, ta jetësojmë këtë marrëdhënie dashurie e cila është vetë krijimi. Kjo është puna jonë miq. Është bërthama e punës sonë po ashtu siç është edhe bërthama e krjimit: “Ai i do ata, ata e duan Atë!” [Kur’an, 5:54]
Në këtë bosht të dashurisë, në këtë kryetemë të krijimit, dhe ne jemi në të. Sufistët përherë kanë qenë në boshtin e dashurisë. Dashuria jonë për Zotin është shënjim i dashurisë së pastërt që nevojitet për të përkujtuar krijimin se kujt ai i përket. Kur ne e përsërisim emrin e Tij, kur bëjmë ziqër, ne jemi duke e rikthyer në vetëdijen tonë atë se çfarë i gjithë krijimi e di. Gjithçka në krijim ka emrin e Tij të brendashkruar. Ajo është e vulosur me emrin e Zotit, përndryshe nuk do të mund të vinte në ekzistencë. Diçka mund vijë në ekzistencë vetëm nëse është shkruar me emrin e Krijuesit. Në të kundërt, ajo ngelet vetëm në fantazi, vetëm në rrafshin imagjinar. Nëse diçka është shkruar me emrin e Zotit atëherë: "Në fillim qe Fjala, Fjala ishte Zoti, dhe fjala ishte me Zotin” [Bibël, Gjoni 1:1]. Kjo është fara mbrapa krjimit. Gjithçka në krijim është e vulosur me emrin e Krijuesit. Poashtu dhe zemrat tona janë të vulosura me Të për t’i sjellë ato në vetëdijen Hyjnore. Rrjedhimisht të jemi hallka dashurie ndërmjet botëve. Kjo është përgjegjësia jonë, një pjesë e së cilës është ta dëshmojmë dhe ta presim të Dashurin Tonë. Të jemi këtu për Të, është kaq e thjeshtë! Të jemi këtu për Të, dhe për ta përjetuar në një botë e cila e ka harruar dhe mohuar Atë. E cila nuk e di që Ai ekziston. Kjo kërkon rropatje dhe ngulmim dhe mua gjithmonë më ka pëlqyer shprehja angleze “bloody mindedness” (kryeneçësi) kur thjesht e kryen punën. Jo të shpërqendrohemi, pasi ekzistojnë 10 milionë shpërqëndrime. Kanë qenë 10 mijë, tashmë janë 10 milionë. Sa e sa zëra të tjerë mbesin për t’u dëgjuar?! Të jesh në mes tyre, të jesh i përfshirë në gjithçka ditët e sotme dhe prapëseprapë të jesh i pranishëm dhe i vëmendshëm gjatë gjithë kohës për diçka tjetër, duke pritur sykatër. Të jemi të përgatitur në çdo çast për të qenë krejtësisht këtu për Të. Në mënyrë që kur ajo energji, ajo fuqi, ai pasion i rikthehet botës, të jemi këtu, të mos trembemi e te biem në ankth. Kjo është ajo për çfarë përgatitemi: për ta mirëpritur rikthimin e Tij në botën e Tij.
Kur unë flas për zbritjen e energjisë, pikërisht ajo është pjesë e procesit së rikthimit të Tij në botën e Tij. Është pjesë e Pranisë Hyjnore e cila gjallërohet sërish. Kësodore, krijimi rigjallërohet në mënyrë që ta shërojë vetveten. Unë çdoherë them se ne s’mund ta shërojmë botën pasi ajo është dëmtuar shumë, por i Dashuri mund ta shërojë botën e Tij. Kjo për shkak se është e Tija, Ai e krijoi atë. Ai di si ta zgjojë dhe Ai di si ta shërojë, nëse është vullneti i Tij. Nëse jo, është prapë vullneti i Tij, është prapë bota e Tij. Nëse Ai ka krijuar diçka, Ai mundet edhe ta shkatërrojë atë. Kjo është liria e Tij. Ne nuk e dimë çfarë Ai do, mirëpo janë disa shenja, ndaj i dëgjoj me shumë kujdes ëndërrat e njerëzve dhe në një farë mënyre nuhas gjendjen. Cilat janë shenjat? Nga vijnë ato? Për çfarë jemi këtu? Çfarë është me të vërtetë e rëndësishme? Çfarë është rastësore?
Rëndësia qëndron te të qenurit i vëmendshëm ndaj dashurisë. Të qenurit i vetëdijshëm me zemër po aq sa dhe me mendje. Të jesh i përfshirë në jetë, por edhe ta kesh gjithmonë një vesh që dëgjon diç tjetër; një sy që sheh çfarë është në kornizat e vetëdijes. Në vegimin e tij, ne jemi duke qëndruar në zgrip të botës apo përtej saj, duke vëzhguar diçka. Bota është një deng dashurie që po ndryshon, por ne e harrojmë këtë. Ndonjëherë ne mendojmë se është një rrëmujë politiko-ekonomike. Por ajo është thjesht një ëndërr kalimtare, veç sikur ta dinit sa rastësore që është. Bota është njëmend një deng dashurie që është duke e ritrajtësuar vetveten. Tani rrymat e dashurisë po ndryshojnë. Po ashtu edhe pllakat gjeologjike po ndërrohen, por prapa saj po zë vend një mister i thellë që duhet mirëpritur. Kjo pasi i Dashuri mund të vijë tek ju, por nëse nuk e mirëprisni, Ai nuk dëshiron ta imponojë Vetveten nëse është e mundur, pasi Ai është një Dashurues. Ndaj, lypset të mirëpritet.
Nuk duhen shumë njerëz që ta mirëpresin Atë. Është një rrëfim biblik, nuk e di në Babiloni apo Sodom dhe Gomora, i cili zë fill në njërën nga këto qytete që qenë shkatërruar. Zoti tha që do ta shkatërronte atë vend dhe profeti i tha: “A do ta shkatërroni nëse në të gjej dhjetë shenjtorë?” Zoti i përgjigjet: “Jo, s’do ta shkatërroj atë nëse gjenden dhjetë shenjtorë aty.” Megjithatë, profeti s’mundi t’i gjente dhjetë shenjtorë dhe e pyet: “Po nëse i gjejë pesë”? Ai i thotë: “Mirë, pesë pra, s’ka problem”. Ai s’mundi t’i gjente as pesë prej tyre. Në fakt ai s’mundi të gjente asnjë! Zoti i tha se nëse do mund të gjente qoftë edhe një shenjtor, Ai nuk do ta shkatërronte atë vend. Por, profeti s’mundi të gjente asnjë dhe rrjedhimisht qyteti u shkatërrua.
Pra, nuk ka nevojë për shumë njerëz që ta mirëpresin rikthimin e të Dashurit në botë. Çdo njeri tjetër është shumë i zënë. Shiko rreth teje! Çdokush është i zënë, tepër i zënë. Ata nxitojnë të kryejnë gjëra jashtëzakonisht “të rëndësishme”, por të pavlera. Shumicën e kohës janë tërësisht të preokupuar me veten. Porse, ne jemi mistikë goxha të lashtë, e kemi jetuar këtë cikël plot herë, përndryshe ju nuk do të ishit ulur këtu. Ne kemi jetuar bukur shumë jetë, i kemi përjetuar një numër të konsiderueshëm marrëdhëniesh dashurie, lidhjesh të dështuara dhe mishërimesh prej murgu. Në një farë mënyre kemi bërë pak nga kjo dhe pak nga ajo. Disa gjëra shkuan mirë dhe disa jetë qenë krejtësisht katastrofale. Ndaj, ndoshta tani nuk jemi më aq të kurthuar në punët e përditshme dhe të gllabëruar nga vetët tona. Akoma është një pjesë e veteve tona që nuk është tërësisht e zhytur në egot apo jetët tona të jashtme. Atë pjesë e përdorim për ta përkujtuar Atë, të jemi këtu për hir të Tij. Andaj, përderisa çdokush tjetër është tepër i zënë duke bërë gjëra shumë “të rëndësishme”, duke pasur “arritje” apo duke “dështuar”, ne jemi këtu të bëjmë diçka tjetër. Ne jemi këtu që t’i mundësojmë një hapësirë rikthimit të të Dashurit tonë në botë.
Shumë prej nesh kanë pritur dhe shumë prej nesh janë ndjerë mjaft të vetmuar për shkak se kjo botë është e zhytur në harresë. Ajo është shumë materialiste. Kur u dërgova në Amerikë thashë: “O Zot, pse në Amerikë? Në vendin më materialist në botë!” Kurrë nuk desha të shkoja atje. Shumë prej nesh e shohin si problematike jetesën në një kulturë kaq materialiste. Një kulturë e dhënë pas parasë, të pasurit, dinamikave të pushtetit etj. Veçse ne duhet të jemi të pranishëm aty, pasi pikërisht aty lypset më së shumti të mirëpritet Ai. Jo nëpër ashrame, e nëpër manastire malesh, por në mes të kësaj bote korporativo-industriale. Nëpër rrugët e qyteteve. Aty lypset të rikthehet në jetë ajo fuqi dhe prani. Kjo është detyra dhe puna jonë si mistikë, të presim të Dashurin tonë. Të jemi të vëmendshëm ndaj Tij dhe jo të ngutemi gjatë gjithë kohës në një shitore çapati. Përndryshe do të kuptojmë se po e humbasim mundësinë që kemi pritur me jetë të tëra. Do e humbim këtë moment. Kjo do t’i përngjante të paturit marrëdhënie seksuale pa orgazëm dhe do të mbeteshim duke thënë “Ç’kuptim pati e gjitha kjo?” Edhe nëse Ai vendos që të mos vijë, të paktën do ta presim si dashurues besnikë. Të qenurit të pranishëm dhe të priturit është detyrë e dashuruesit. Ju nuk e dini, nganjëherë mund të prisni edhe me vite të tëra. Durimi është poashtu pjesë e stërvitjes së mistikëve. Ne mësojmë të jemi durimtarë sepse nuk funksionon në bazë të matjes sonë kohore, apo kalendarëve tanë. Nuk ndodh kur duam ne, por ndodh sipas vullnetit të Tij. Të jeni durimtarë është diçka që e mësoni në marrëdhënien tuaj me Zotin.
Po, jeni të uritur dhe të përmalluar dhe e dëshironi të Dashurin tuaj. Vetëm Ai mund t’ju përbushë dhe t’ju rikthejë krejtësisht në jetë. Vetëm Ai i mundëson pasionit tuaj të digjet brenda jush. Por prapë, kjo ndodh me vullnetin e Tij dhe ju duhet të prisni. Ne presim me vite e vite të tëra. Por, jemi të stërvitur të presim dhe të jemi të vëmendshëm. Të qenurit mace e cila pret te vrima e miut, kjo është praktika sufiste. Pafundësisht të relaksuar dhe të vëmendshëm. Ne jemi të përfshirë në jetën e përditshme dhe poashtu jemi të vëmendshëm duke pritur për të Dashurin, duke e lejuar Atë të na përdorë neve. E bukura është se Ai veçse ka nisur të dërgojë shenja, të dërgojë “mesazhe telefonike”. Ai veçse ka nisur të tregojë se ndoshta Ai po vjen. Interesantja qëndron në faktin se kjo është çfarë ndodhi në vitet 60-të. Ajo qe energjia e një epoke të re e cila filloi në fund të viteve 60 dhe 70-të. Qe një energji e dashurisë dhe e paqes e cila kaploi veçanërisht Perëndimin. Erdhi nga askundi, dhe ishte si një mesazh i të Dashurit i cili thoshte: “Ndoshta së shpejti do të vij”. Sigurisht të gjithë u entuziazmuan dhe u zhvendosën në Glastonbory dhe shpresuan që do të zbriste ku kishte zbritur 5000 vite më parë. Madje edhe pas 30 vitesh, ka akoma njerëz nëpër ato karvane të cilët janë duke shpresuar, edhe pse duke jetuar me ndihma sociale. Më kujtohet sepse isha në festivalin e parë te Glastonbory-t. Isha 18 vjeç. Ai pandehej të vinte atëherë, sepse ne e ndërtuam piramidën, si një riprodhim i Piramidave të Mëdha. U vendosëm aty si të rinj të dehur, edhe kaq! Ndihej një zgjim në ajër. Një lloj energjie erdhi nga askundi dhe solli një premtim. Në fakt, shumë prej nesh u zgjuan në atë kohë, diçka na zgjoi neve. I Dashuri mund të rikthehet prapë në Tokë. Ajo kohë ishte jashtëzakonisht entuziasmuese sepse ajo energji krijon një pasion, një shpresë, një pritje, dhe papritur e ndjeni atë se çfarë keni qenë duke humbur. E shihni që shoqëria materialiste nuk është e mjaftueshme për shkak se iu është dhënë një perceptim për diçka tjetër. Një ndjesi magjie dhe rikthimi. Më pëlqen një varg nga Leonard Cohen që thotë: “Zoti është i gjallë dhe magjia ka nisur.” Sepse bota është e magjishme por lypset të ndizet. Ajo ka nevojë për një energji që t’i zgjojë qendrat dhe fuqitë e saj magjike. Vetëm se kjo ka nisur të ndodhë pak nga pak, megjithatë na duhet të presim. Ne jemi duke pritur që nga vitet 60-të. U bënë 30-40 vite tashmë dhe ne ende po presim. Kemi mësuar si të presim dhe si të mos e humbim shpresën.
Është e lehtë të presësh dhe të zhgënjehesh, madje shumë prej nesh zhgënjehen shpirtërisht. Sepse nuk e dimë vlerën e pritjes dhe të qenurit të vëmendshëm përderisa presim. Ne presim, sepse nuk ndodh kur duam ne por kur Ai do. Kur Ai dëshiron t’i rikthehet tokës së Tij. Unë mendoj se kjo do të ndodhë, madje jam shumë i bindur për këtë. Një lloj fuqie që nuk është parë në këtë botë për mijëra e mijëra vite do të rikthehet. Në fakt është duke u rikthyer. Unë mendoj se Ai prapë do t’ia rikthejë këtë botë Vetës së Tij. Në mënyrë që të na rikujtojë prapë se kjo botë është e Tija, jo e jona. Kjo vjen me dashuri dhe fuqi. Ne e kemi harruar fuqinë e Zotit. Ne flasim për fuqinë e politikanënve, qeveritarëve etj., por fuqia e Zotit është krejtësisht ndryshe. Unë di një pjesë të vogël të asaj fuqie, sepse e kam parë goxha të gjallë dhe të zhveshur tek shejhu im. Kam parë vetëm një pjesë të atij autoriteti të plotë, para së cilit njeriu madje nuk guxon as të pyesë e as të diskutojë rreth tij. Në fakt, as nuk ju bie në mend kjo gjë, por ju vetëm përuleni. Kjo për arsye se i takon Zotit dhe ka një nivel fuqie goxha ndryshe. Sikurse ka treguar Bhai Sahibi për shejhun e tij: “Nëse ai thotë se do të bëhet diçka, ajo do të bëhet.” Zonja Tweedie e përdorte shprehjen “jipen udhëzime” dhe mandej ajo gjë vetëm bëhet. Kjo për arsye se është shkruar me lapsin e Krijuesit.
“U bëftë vullneti Yt në tokë si në qiell.” [Mateu 6:10]. Shpesh mendoj për këtë lutje. Këto vitet e fundit kam përsiatur shumë rreth këtij vargu, rreth asaj çfarë ai nënkupton në të vërtetë. Qielli është ajo çfarë sufistët quajnë “bota e urdhërit Hyjnor”. Në atë botë ekziston vetëm vullneti i Tij, çdo gjë në të është në bazë të vullnetit të Tij. Aty jemi ne gjatë natës. Çdo gjë është nga vullneti i Tij. Në atë vend ne vetëm i përulemi Zotit, pikërisht sikurse meleqtë. Aty nuk ka ego sepse është një rrafsh tjetër zhvillimi dhe ekzistence. “Bota e urdhërit Hyjnor” është shumë e bukur. Unë e quaj bota e “nur-it mbi nur-in” sepse njerëzit komunikojnë me anë të nurit dhe dashurisë. Por, këtu në tokë gjendja kryesisht funksionon në bazë të vullnetit njerëzor. Të paktën deri më tani njerëzit mund të bëjnë ç’të dëshirojnë këtu. Por, ne e kemi harruar që vullneti Hyjnor mund të jetë edhe këtu dhe se mund të rikthehet përsëri në tokë. Ne e kemi harruar fuqinë e të Dashurit tonë. Përndryshe, ç’kuptim do të kishte një i Dashur i pafuqishëm?! Çfarë lloj mardhënie dashurie do të ishte ajo?! Ai ka një fuqi të jashtëzakonshme dhe ne jemi të stërvitur ta mirëpresim. E gjithë jeta jonë ka si qëllim mirëpritjen e Tij. Ta presim të Dashurin tonë, të jemi gati dhe të vëmendshëm. Ta mirëpresim rikthimin e Tij në krijim në mënyrë që shkëndija e Tij të rikthehet, një zjarr të formohet dhe bota të ringjallet përsëri. Kjo për arsye se bota është duke vdekur. Shumë pjesë të saj janë gati të vdekura.
E gjithë kjo punë dhe praktikë që po mundohem t’ua mësoj: sesi të jemi të vëmendshëm, të zgjuar, të vetëdijshëm se jemi duke u përdorur që një energji të sillet këtu përmes nesh - kanë për qëllim mirëpritjen e të Dashurit tonë dhe jo vetëm në jetët tona personale. Sigurisht edhe në to, po për këtë janë praktikat tona individuale. Kur ia përmendim emrin, e bëjmë në mënyrë që Ai të jetë përsëri brenda nesh. Kur Ai është i tëri i pranishëm, atëherë ne nuk e përmendim emrin e Tij. Nuk ia përsëritni emrin kur jeni krejtësisht të zhytur në Të sepse nuk përsëritet emri i personit që është brenda jush. Kur Ai është plotësisht me ju, atëherë ju nuk thoni asgjë, sepse s’ka asgjë për t’u thënë. Rumiu thotë: “Ju i shkruani të dashurit letra dashurie kur ai është larg. Kur i dashuri është aty ju nuk i shkruani më letra dashurie.” Për hir të së vërtetës, në atë çast njeriu nuk thotë asgjë. Mirëpo, e thërrisni Atë kur ju mungon, në mënyrë që ta riktheni, të jeni në vëmendjen e Tij. Kjo është shumë vetjake pasi e doni të gjithë vëmendjen e të Dashurit vetëm për vete. Kjo i përngjan 10 000 mjelësëve gopike të cilat vallëzojnë me Krishnën. Secila nga to mendonte që Krishna po vallëzonte vetëm me të. Në fakt, jeni me fat që nuk e keni tërë vëmendjen e të Dashurit, përndryshe do të ishit krejtësisht të djegur, por kjo është një temë komplet tjetër.
Ajo që po mundohem të them është se, këtë e bëjmë ne në marrëdhënien tonë me Zotin dhe po mundohem ta zgjeroj këtë marrëdhënie duke thënë se ne gjithashtu jemi pjesë e krjimit. Në çastin kur shpirti juaj vjen në mitrën e nënës, ju bëheni pjesë e krijimit, pjesë e kësaj lidhje dashurore të krjimit. Përkujtimi juaj për Zotin është përkujtimi i jetës për Zotin. Ju jeni pjesë e jetës që përkujton Zotin. Mund të themi se ju jeni një pjesë e qelizës dritësore së përkujtimit të botës. Ju nuk jeni vetëm “ju”, ky është veçse një iluzion i krijuar nga egoja. Në fakt nuk ka “ju” fare, dhe këtë e kuptoni kur zhyteni në gjendje meditimi duke e lënë egon mënjanë. Në Upanishada thuhet se Atma individuale është Atma Universale. Vetja individuale është Vetja Universale. Çdo gjë është një. Ne jemi pjesë e një vallëzimi të mahnitshëm të krjimit. Pra, praktika jonë është praktika e botës, mos e ndani këtë. Dashuria juaj me Zotin është dashuria e krjimit me Zotin, veçse në mënyrë të vetëdijshme. Ju e jetoni dashurinë për hir të botës, për hir të tërë krjimit, me fjalë të tjera, ju jeni i gjithë krijimi duke e jetuar atë përmes jush. Ju jeni bota e cila i përgjerohet Zotit dhe shumë prej njërëzve e ndjejnë këtë. Mundeni ta ndjeni dhimbjen e botës e cila thërret: “I Dashur, më ndihmo se jam duke vdekur, jam duke vdekur urie, jam e rrënuar.” Është edhe kjo traditë në të cilën Zoti vjen vetëm kur jemi të dëshpëruar, të pashpresë, kur nuk ka asnjë burim tjetër. Kjo ndodh përgjatë rrugëtimit tonë individual, teksa gjendemi në gjendje të plotë dëshpërimi. Kur asgjë s’mund të na ndihmojë pos të Dashurit. Atëherë Ai vjen te ju. Nganjëherë, Ai vjen qetësisht, nganjëhërë ashpërsisht dhe nganjëherë me anë të bukurisë. Nganjëherë me një sens humori: “Mendove që isha larguar, ë?! Unë asnjëherë nuk isha larguar. Si mund të largohem Unë?!”. Aty e kuptoni që Ai është gjithmonë këtu dhe se Ai është gjithmonë pjesë e juaja.
Thirrja juaj për Të është thirrja e Tij për Të. Dashuria juaj për Të është dashuria e Tij për Të. Kurse ne jemi ajo pjesë e krijimit e përmalluar për Zotin. Ne jemi qelizat e dritës së krijimit. Dashuria jonë me Zotin është e dashuria e krjimit me Zotin, mos mendoni se është e kundërta. Përderisa jeni të mishëruar në këtë botë ju jeni kënga e vërtetë e botës e cila mallëngjehet për Zotin. Sepse kjo është e tërë e vërteta dhe ju e dini këtë. Çdo gjë tjetër është një lloj pasqyrimi, por ajo, ajo është e vërtetë. Ajo dashuri dhe ai përmallim është i vërtetë. Neve na është kërkuar ta jetojmë atë për hir të Tij dhe të botës sepse s’ka ndarje. Dashuria jonë për Zotin është dashuria e botës për Zotin. Pritja jonë për Zotin është pritja e botës për Zotin. Lutjet tona janë lutjet e botës. Ndaj, kjo jetë mistike është aq e thjeshtë, aq themelore dhe e rëndësishme. Kjo sepse ne e jetojmë atë për hirin e botës. Njerëzit e tjerë janë shumë të zënë, ose kanë harruar, s’janë stërvitur, apo i Dashuri nuk i ka përkujtuar ata që të kujtohen. Por, kjo e fundit lypset prej nesh dhe është e më rëndësishme se gjithçka. Kjo pasi është ai i cili do ta mirëpresë rikthimin e të Dashurit në botën e Tij. Ju mund t’i bëni të gjitha veprat e mira por prapseprapë ato nuk ndryshojnë gjë. Kjo në fakt është çfarë tha Krishti në bisedën e tij me Marien dhe Martën. E vetmja gjë që Maria dëshironte ishte të ulej pranë këmbëve të Krishtit me qëndrim përkushtimi dhe dashurie. Marta i thotë se si mund ta bënte këtë kur ishin aq shumë gjëra për t’u bërë? Ajo qe e zënë dhe e shqetësuar për shumë gjëra. Gjithmonë më kujtohet ky varg biblik. Krishti thotë: “Maria e bën të nevojshmen.” [Luka 10: 38-42] Atë thelbin e devotshmërisë ndaj Zotit, e të qenurit këtu për hir të Tij. Kjo është jashtëzakonisht praktike. S’është vetëm një mendim i dëshiruar, apo vetëm kënaqje e unit. Por, ajo i bie të jesh në boshtin e dashurisë, në të qenurit i pranishëm dhe në pritje për rikthimin e Tij në botën e Tij.
Përktheu: Trandofilishta
Fotografia: Scott N.