Dashuria
(Mars, 2022)
Gjithçka filloi nga dashuria. Zoti deshi dhe nga dashuria e Tij shpërfaqi Vetveten nga Ama (padukshmëria e Tij) në Nur (Dritën e Tij). Çdo gjallesë, çdo gjësend i Tij i gjallë me gjallërinë e Tij u shpërfaqë në dritë. Të gjitha i shpërfaqi përmes cilësisë së Tij të quajtur dashuri - Hi(u)bb. Ai dëshiroi - bëri Muhabbet, dhe gjithçka e Tij ndodhi, u shpërfaqë - u krijua, një herë dhe përfundimisht, pafund. Kjo është konsistenca e gjallërisë së Tij (Hajj ul Kajjum) që në esencën e çdo krijese ka për bazë dashurinë - Muhabbetin e Tij. Pushteti i Tij, gjithfuqia e Tij nuk është gjë tjetër përveçse dashuri - Hubbullah. Ai (Hu) shpërfaqi, krijoi nga dëshira dhe manifestoi Vetveten e Tij, duke artikuluar Veten - Dhat, Unin e Tij në Cilësi - Sifate të Unit (Dhat), pra në Dhati Sifat, pastaj artikuloi Vetveten në Cilësi të Qëndrueshme të Tij, pra në Thubuti Sifat, pastaj në Emra të Tij të pafund, pra në Esmai Ilahi, pastaj në veprime të Tij Ef'ali Ilahi. Me fjalë tjera, Zoti - Allahu shpërfaqi vetëm Vetveten e Tij dhe asgjë tjetër përveç Tij. Në këtë mënyrë ciklin e shpërfaqjes e përmbylli me sintagmën themelore: La ilahe il-lallah.
Kjo është e tëra, e vërteta, tërësia brenda njëshmërisë, kjo është krejt çka ka. Pas kësaj ideje (mana-je) ka vetëm dualitet si fryt i imagjinatës së hiçit - moskamjes.
Dhati Sifat - Cilësitë e Esencës
Por le të fillojmë nga artikulimi ose zbritja e parë e Zotit, pra në Dhati Sifat - Cilësitë e Esencës, që janë gjashtë (6):
1. Vuxhud - Qenia. Vetëm Allahu ka Qenie, është ekzistencë. Përveç Tij s'ka askush asgjë.
2. Kidem - Ai s'ka fillim.
3. Beka - Ai siç nuk ka fillim s'ka as mbarim, pra është gjithmonë i Përjetshëm.
4. Vahdanijet - Ai është Vetëm, i Vetmuar në sundimin e Tij.
5. Muhalefetun lil havadith - Ai i vetmuar i mjafton Vetvetes, s'ka nga kush dhe me çka të kundërshtohet
6. Kijami bi nefsihi - Ai qëndron në vetminë e Tij dhe është i panevojshëm për asgjë.
Thubuti Sifat - Cilësitë e Qëndrueshme të Tij
Artikulimi i dytë i radhës është Thubuti Sifat, ose Cilësitë e Qëndrueshme të Tij, që janë tetë (8):
1. Hajat - Ai është jeta, është i Gjallë dhe çdo shpërfaqje e Tij, çdo gjallesë jeton nga jeta, gjallëria e Tij.
2. Ilëm - Dija është cilësi e Tij dhe në çdo gjallesë ekziston dija e Tij konform afinitetit dhe nivelit të gjallesës.
3. Irade - Vullneti i lirë. Ai çdo gjallese i ka dhënë vullnetin e lirë të Tij, pra çdo manifestim i vullnetit nga cilado gjallesë është shprehje e vullnetit të lirë të Tij, dhe kurrë nuk kundërshtohet nga vullneti i Tij.
4. Kuvvet - Kudret - Çdo gjallesë qëndron falë fuqisë dhe forcës së Tij, dhe gjithçka manifeston vetëm Fuqinë e Tij. Çdo fuqi e reflektuar vjen vetëm nga fuqia e Tij.
5. Semië' - Çdo gjallesë ka sensin e të dëgjuarit (veshin) dhe ndjeshmëria arrihet falë Tij.
6. Basir' - Sensi pamorë (syri). Çdo gjallesë sheh dhe vështron me cilësinë e Tij.
7. Kelam - Fjala është zëdhënese e Qenies dhe çdo gjallesë flet dhe komunikon brenda afinitetit dhe nivelit të vet. Çdo fjalë që flitet nga cilado gjallesë është fjalë nga gjuha e Tij.
8. Tekvin - Kreacioni është cilësi e Tij që manifestohet te çdo gjallesë, varësisht nga natyra e gjallesës të cilës i takon.
Esmai Ilahi - Emrat e pafund të Zotit
Artikulimi i tretë i radhës janë Emrat e pafund të Zotit.
Çdo gjallesë, çdo gjësend ka emrin e Zotit dhe ato janë pafund siç është tërësia e Tij, ku s'ka vetëm S'KA. Pra, ka gjjthçka, siç është Vet Ai.
Efa'li Ilahi - Veprimet e Zotit
Dhe në fund artikulimi që Zotin e bënë manifestues të hapur dhe të pambuluar janë Veprimet e Tij. Pra, gjithçka që lëvizë, qoftë në gjendje aktive ose inaktive, që vepron me vetëdije ose pa të, në të vërtetë është veprim Hyjnor i Tij, është projeksion i përsosmërisë së Tij. Është pasqyra dhe rendi kozmik i pagabuar në asnjë çast. Ai, Zoti është Qenia (Dhat) e vetme prezente (Mevxhud). Ai me cilësitë e Tij, është pushtues i vetëm i tërësisë dhe i kozmosit. Pra, sifatet e Tij janë Muhjit - gjithpërfshirës. Ai me emrat e Tij ka emërtuar gjithçka, çdo gjallesë dhe gjësend. Çdo emër i tij ka etimologjinë dhe onomastikën që dërgon deri të Qenia e tij. Pra, Esmat e Tij janë informacione mbi Të. Veprimet e dukshme dhe të padukshme janë shpërfaqja e Tij në horizont dhe Qenien e Tij na e bëjnë të dukshme. Pra, nga çdo gjallesë vepron Ai, ose Ef'ali e bën të dukshëm (dhahir).
Zoti është Ai që gjithçka filloi nga dashuria e Tij dhe të njëjtën e instaloi në kraharorin e njeriut dhe e quajti zemër, aty ku është froni i Tij. Kuptohet për atë që njohu Zotin!
Zoti e din më së miri!