﷽
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Në kulturën dhe bindjen islame në mesin e besimtarëve, disa netë konsiderohen të veçanta dhe atyre u atribuohen deri elemente të shenjtërisë. Këto bindje me tepër janë të karakterit tradicional sesa të ndonjë vlere esenciale, aq më tepër kur ata që këto netë të caktuara i konsiderojnë për të shenjta nuk e marrin mundin që ta kuptojnë se çka është ajo që urojnë dhe shenjtërojnë.
Të fillojmë nga e para e netëve me rëndësi të kësaj kulture, për të arritur deri te nata e madhe e Beratit. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është fakti se këto netë i përshkruhen se si i festoi dhe i madhëroi vet profeti Muhammed (a.s.), dhe atë duke filluar nga nata e parë e madhe, që fillon me lindjen e profetit Muhammed (a.s.) e cila njihet si nata e Mevlydit.
Nata e Mevlydit konsiderohet 12 Rebiul ev-veli (muaji i tretë sipas kalendarit lunar apo hixhri), nata kur lindi Profeti ynë. Në kuptimin bukfal mevlyd do të thotë "lindje" në veten e parë, pra "linda unë" ose "lindja ime".
Nata e dytë e madhe konsiderohet nata brenda muajit Rexheb (muajit të shtatë lunar). Por çka do të thotë Rexheb? Rexheb në kuptimin esencial dhe etimologjik do të thotë njeri i pashëm, njeri me autoritet që meriton të respektohet, i fuqishëm dhe i madh. Përndryshe emri Rexheb nuk përmendet askund në Kur'an por në anën tjetër konsiderohet si emër islam.
Nata e radhës e tre muajve te mëdhenjë të besimtarëve të Islamit është nata e Beratit. Çka do të thotë Berat? Ka shume interpretime të këtij nocioni. Disa mufessir apo interpretues të Kur'anit janë të mendimit se Berat do të thotë ultimatum; disa thonë denoncim, disa thonë pastrim nga fajsia ose çlirim nga çdo përkufizim eventual. Por, në kuptimin esencial çka është Berati? Berat vjen nga emri i Allahut dhe është cilësi e Tij (nga 99 emrat - esma ul husna) El-Berr, që do të thotë mekanizëm ose katalizator që duhet të shpërfaqë ose ta sheshojë esencën ose fitran, pra origjinën primordiale të njeriut e që është Uni - Nefsi ose e vërteta e njeriut. Pra, njeriu i lindur (Mevlud) zhvillohet në njeri të páshëm, të fuqishëm, respektabil dhe autoritet meritor (Rexheb), vjen në një fazë zhvillimore kur do të arrijë nivelin e hyrjes së tij procesin e pastrimit të terësishëm dhe shpëtimin e tij nga çdo brengë që atij ia rëndon shpirtin, pra çlirimin e tij nga çdo përkufizim, dhe hapjen e njohjen e tij përtej elementit të dukshem formal për të kaluar në botën e fitras, pra origjinës ose njohjes së Vetvetes. Epilogu i këtij cikli është Nata e madhe e Kadr'it kur njeriu do të arrijë përsosmërinë.
Siç po shihet ideja e netëve të mëdha është koncept që ka të bëjë me ciklin evolutiv të njeriut duke filluar nga lindja e tij e deri në njohjen e vetvetes me çka nënkupton shijimin e vdekjes së njeriut para vdekjes biologjike. Ai, që sipas bindjes time, është fakti brengosës është se në kulturën islame netëve të mëdha më tepër u jepet konotacion formal dhe ritik sesa simbolik, që në vete ngërthen një të vërtetë krejtësisht tjetër. Nëse kjo ide e netëve të mëdha duhet të konsiderohet e vlerësohet atëherë ajo duhet të jetë tërësisht subjektive dhe e botës së brendshme (batin) të njeriut, drejt udhëtimit gnosologjik të tij, pra drejt njohjes së vetvetes dhe dëshmisë së Zotit.
Salih Hoxha (7 prill 2020, Prizren).