Sheh Muharrem Mitrovica
Nga jetëshkrimi i njerzve të mdhaj
Shejh Feridy-din At-tar
﷽
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Ju patëm premtue lexuesave të ndershëm të kësaj së përkohshmeje se herë mbas here do t'i u jepshim qoftë dhe në shkurtim, jetëshkrimin e disa zâmdhajvet islamë qi u dalluen kush si poet, kush si shkrimtarë, e kush si filozof. Këtë shteg po i bijmë shkurtas jetës së Shejh At-tarit, dhe ky nji poet i famshëm i botës islame.
Emni i vertet i At-tarit âsht: Shejh Ebu Talib Feridyd-din Muham-med bin Ibrahim. Leu në vjetin 513 H /1115 në katundin "Qedqyn" të krahinës së Nishaburit (Persi), dhe e kaloj jetën në "Shadbah", dhe kjo mbrenda krahinës së Nishaburit.
Në vend-lindjen e tij rrnonte nji Sheh në zâ, "Kutbud-din Hajder'i", me të cilin kishte pasë njohtuni të ngushtë ati i Shejh At-tarit t'onë, sa qi ishte bâ dhe nji nder ndjeksat e tij (murid). Kështu Shejh At-tari qysh në rinin e vet kishte pasë rasë me qenë në shoqni, nepër mes t'et, me Shejh Kutbud-dinin e me përfitue prej dijes e urtësisë së tij dhe me qenë i frymzuem nga ajy për sa i përket dijenivet mistike me të cilat ishte i pajosun; aq sa tue qenë ende i ri në përkujtim e n'emën të dashunis së t'et për Shejh Kutbud-din Hajderin shkroj nji elozhë nën titullin "Hajdername". Natyrisht kjo vepër âsht e metë, si prodhim i nji mendjeje të njomë të palavrueme ende dhe qëndron larg me gjasue me prodhimet mendore të tija të mâ vonshme.
I ati i Shejhit t'onë merrej me tregtin e disa barnavet e ernavet të mira e prandej u quejt "At-tar" (n'arabisht shitës-parfumes ose parfumtar). Mbas vdekjes së tij, vendin ia zu i biri Muham-medi, Shejhi, për të cilin po flasim. Nji dit pa pritë la tregtin e trashigueme prej t'et dhe u largue prej tregtores. Të ndryshme janë arsyenat qi thuhen rreth kësaj metamorfoze shpirtnore qi psoj Shejhi. Por ajo qi mund të rrahet këtu si arsye e abandonimit të tij punën e fitimit, tue shpërnda në mes të vobektvet çdo qi pat, mall e pasuni, âsht ndikimit (te'siri) qi bânë në shpirt e në mendje të tij kontakti i ngushtë me Kutbud-in Hajderin, mësimet qi mori e këshillat qi ndigjoj prej këtij, veprat e misticizmit qi lexoj e jetshkrimet e dijetarvet qi studijoj. Si i solli shpinden begativet lândore të kësaj jete, shkoj e gjet streh në Derghah të Ryqnyd-dini Eq-qafiut, dhe ky Shejh në zâ në kohën e vet dhe për nji kohë të gjatë bâni pjesë në rrethin e nxânsavet të tij tue u dhânë kështu mbas këndimevet.
Mandej pelegrinoj (bâni vizitën) në Qa'be e ky udhtim i vjefti fort për me i a stolisë menden e zemrën me njohuni dijtunore të thella nepër kontaktin gjat udhtimit me dijetarë të mdhaj e me mistikë në zâ të botës islame. Mbas këtij udhtimi nisi me shkrue poema, ku shihet pjekunija e tij si edukues njerzish e si i divoçëm ndër detyrime ndaj Perendisë.
N'ato poema ndriçojnë prirjet e tija shpirtnore, pse secila sosh e stolisun me nji lândë mbi moral, mbi misticizmë, mbi të vërtetën e mbi këshille, qi të gjitha këto, kanë qëllim me çue njerin drejt nji persosmenije të plotë... Në poemat e tija ka nji bukuri e elokvencë jashtzakonisht tërheqse, dhe ndër këshille nji ndikim qi të robnon. Prodhimi i tij poetik mbrinë deri në 40.000 (katërdhetmi) strofa. Po të shtihen në ktë numur edhe nji tok poemash tjera si ode, elozhe, rrubaij-jate, Mukat-ta-ate, e methnevi (n'arabisht lloj vjershash), numri i poemavet të tija kapet në 100.000 (njiqindmi) strofa.
Veprat e tija qi ndodhen edhe sot janë: "Esrarname, Ilahiname, Musibetname, Yshtyrname, Vasij-jetname, Muhtarname, Bylbylname, Hajdername, Sijahname, Hal-laxhname, Pendname, Xhevherrydh-dhat, Gjyl ve Hyrmyz, Maz-harul-axhaib, e Mantikut-tajr". Ka mandej shum vepra tjera qi kanë humbë. Ata qi ndodhen në këto qi kanë tret, veprat e tija të shkrueme kapen në 40 të botueme. Ka edhe nji vepër e mbiemnueme "Resailu-Ihvanis-safa". Jasht tokës Persijane kanë qarkullue vetëm këto dy libra, "Pendname e Mantikut-tajr".
Sheh At-tari ka rrnue shum. Në vjetin 627 H / 1229 ushtrit mongole të Xhengiz Kanit masakruen e shkretnuen botën islame. Nder këta përpjekje të kobshme Shejh At-tari ra rob në dorë të nji ushtari mongol. Shum prej popullit i propozuen shuma të mdhaja të hollash ushtarit mongol për t'a lirue Shejhin. Por Shejhi i thonte gjithnji ushtarit: "mos prano shumen e dhanun. Nuk âsht kaq çmimi i ém. Un jam nji i madh nder myslimanë."
Së fundi doli nji i vorfën qi i tha ushtarit: "M'a fal kët plak mue, se po të jap kët thes kashtë qi kam në shpindë të ngarkueme."
Shejhi i a pret këtë herë ushtarit: "Ky âsht çmimi i ém. Tash më shit te ky i vorfun." Ushtari i zemruem prej kësaj tallje, i shkurtoj kokën Shejhit dhe kështu ra dëshmor. Kur ndroj jetë qe 114 vjeç. Në këtë çast nji jeremi, ndezë në shpirtë prej kësaj ngjarje, i drejtohet Perendis me këto fjalë: "O Zot, ata qi shkrinë të tânë jetën për të vertetën e Hirit t'And, nji ka nji po humbin jetën nën heshtat e ushtarvet mongol. Kjo heshtje e yte, o Zot, nuk perkon me drejtësinë t'Ande."
Mbi këto fjalë ngrehet i tânë populli kundra ushtrivet mongol pushtuese dhe lirojnë vendin prej tyne.
Tyrbeja e Shejh At-tarit në "Shadbah" âsht vend pelegrinazhi për Muslimanët.
Kjo Rrubai (katrore) âsht e tija:
Murgi budem peride ez alemi raz
Ta puved qi perem zi shijbi syfli be firaz
Çun hiç qesi ne jaftem mahremi raz
Zan der qi der amedim birun raftem baz
qi don me thanë:
Jam nji zog fluturak,
Ardhun nga bot' e pshehtisë;
Do të hiki nga ky prak,
Prap në caq të naltësisë.
Pse nuk gjeta kurr-njeri!
Pshehtinë teme t'i a tregonjë
Nga dera q'erdha - përsëri
Po dal jasht edhe po shkonjë.
Se në ç'shkallë përsosmenije morale kishte mbrrijtun i shenjti Shejh, vehet në dukje nga ajo strof e Meulana Xhelalud-dini Rumiut qi âsht botuemë në faqe 9 të numrit (12) Vit I të kësaj së përkohshme.
Attari asht shpirti e Sinaiu dy syt e zemrës tij
Nga gjurmat e Attarit e të Sinaiut un po vij.