Ibn 'Arabi

O mor xhan!


Bismilahi Rrahmâni Rrahîm 

Ndigjo mor xhan!

Realitet i botës jam Unë, qendra e qarkut jam Unë.

Copëzat e tansia jam Unë.

Vullneti i ngrehun mes Tok' e Qielli jam Unë.

Përceptim n'ty kam krijue,

qi me kén objekt i përceptimit tek Unë.

 

M'kqyrsh mue, vetén ke pa,

ama prej vetés s'mundesh me m'pa Mu.

Prej syve t'mijë mundesh me m'pa mu e ty

a me sy t'tu s'un m'sheh Mu.

 

O mor xhan!

Sa e sa herë t'kam thirrë po s'më ke ndigju.

Sa e sa herë t'kam dalë përballë, po ti s'më ke pa Mu.

Sa e sa herë parfum tu kam ba, ama ti s'më ke nuhatë Mu,

bukë t'shijshme, e ti s'më ke shijue Mu.

Çka asht sebepi qi ti s'un m'mbrrin Mu me gjanat që i prekë

me parfumet që i'u merr erë?

Pse s'po m'sheh Mu? Pse s'po m'ndigjon Mu?

Pse? Për çfarë sebepi? Pse?

 

Për ty andjet qi janë n'Mu u tejkalojnë tanë andjeve tjera

e qejfi qi vjen prej Meje, i tejkalon tanë qejfet tjera.

Për ty ma i dashtun se tanë gjanat e mira jam Unë

Unë jam vet Bukuria, vet Hijeshia.

 

M'duj, m'duj veç Mu.

Dueje vetén n’Mu, veç n’Mu

lidhe vetén për Meje,

se kush s’asht ma i brendshëm se Unë.

Tanë tjerët t’duen për vetén e tyne,

e Unë ty t’du për ty.

A ti, ti ikë prej meje.

 

O mor xhan!

Ti s'un ma jep hakun Mue,

se edhe nëse afër m'vjen

asht se Unë tu kam afrue.

 

Jam ma afër teje se vet vetja jote,

ma afër se shpirti e se fryma jote.

E kush sillet me ty qysh sjellem Unë?

O n'ty për ty xheloz jam Unë!

Due që kujt mos me i takue ti

as vetës tande bile!

I jemi banu, qashtu qysh n'Mue je ti,

edhe pse me vetëdije nuk e di.

 

O mor xhan!

Hajde e për tek Bashkimi t’shkojmë

e nëse hasim ndoj udhë

qi anon prej ndamjes,

ndamjen ta shkatrrojmë.

Hajde, e dorë për dore

për tek prezenca e Hakut t'hyjmë

[Ai] le t’bahet kadiu jonë

e le ta kunorzon me përjetshmëri

Bashkimin tonë.