Mithat Hoxha
Sheh Galibi (biografi)
﷽
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Në hyrje të tyrbes së Sheh Galibit në Stamboll
Sheh Galibi (Stamboll 1757-Stamboll 1799)
Emrin e vërtetë e ka Mehmed. Poetë kanë qenë edhe i ati, Mustafa Reshid Efendi, dhe i gjyshi, Mehmed Efendi. Në poezitë, në fillim ka përdorur pseudonimin Esad, pastaj, Galib. Mësimet e para i mori nga i ati, nga i cili mësoi edhe persishten. Pastaj mori mësime gjuhe dhe letërsie nga shehu i teqes (selisë) mevlevite të Gallatës, Hysejin Dede, dhe nga Hoxha Nesh'et Efendiu. Filloi të thurë poezi në moshë të re. Bëri imitime të poezive të mjeshtërve të kaluar Fuzuli, Hajali Bej dhe Nedim, si dhe të disa poetëve të kohës. Mori për model rrymën letrare Sebk-i Hindi dhe Shevket Buhariun. Sistemoi një Divan ndërsa ishte ende njëzet e katër vjeç dhe dy vjet më vonë, pasi në një kuvend u lavdërua shumë vepra "Hajdarabad" e Nabiut dhe u tha se ishte e papërsëritshme, mori të shkruajë rrëfimin poetiko-lirik "Hüsn-ü Aşk" (Bukuri dhe Dashuri) me temë vështirësitë e arritjes së dashurisë pasionante hyjnore, që është një nga mesnevitë më të suksesshme të letërsisë së Divanit, të cilën e përfundoi në një kohë shumë të shkurtër prej gjashtë muajsh.
Me dëshirën e familjes dhe lutjen e Ebubekr Çelebiut, Galibi u kthye në Stamboll për ta përfunduar aty, në teqen mevlevite të Jenikapë-së, edukimin mistik të filluar në Konja. Në fund, Galibi i cili e kishte edukuar shpirtin dhe zotëronte një frymëzim dhe ekzaltim të thellë mistik, ndërsa ishte ende tridhjetë e katër vjeç, u caktua sheh i teqes (selisë) mevlevite të Gallatës.
Sulltan Selimi III, i cili i pëlqente shumë poezitë e Galibit dhe ishte edhe vetë poet dhe kompozitor, herë pas here i bënte vizitë teqes mevlevite të Gallatës, ndiqte ritualet mistike, ndërkaq që e ftonte Sheh Galibin në Pallat dhe zhvillonte me të biseda konfidenciale. Me kërkesën e Sheh Galibit, sulltani meremetoi edhe teqen, edhe tyrben e Mevlanait (poetit dhe mistikut Mevlana Xhelaleddin Rumi, themeluesit të tarikatit mevlevit). Duke fituar vlerësimin dhe dashurinë e nënës së sulltanit, Mihrishah Sulltan dhe të të motrave, Hatixhe dhe Bejhan, Sheh Galibi krijoi një atmosferë konfidenciale që do t'i lejonte të takohej me to me lehtësi. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Pas vdekjes së nënës më 1795 dhe të të shumë-dashurit Esrar Dede më 1796, Sheh Galibi vdiq më 1799 në moshën dyzetedyvjeçare. Varrin e ka në mjedisin e selisë mevlevite të Gallatës ku kreu detyrën e shehut.
Galibi që thotë se e mori të fshehtën nga Mesnevija, që pyet "Të fala nga e dashura për ne a s'ka?" duke e rikrijuar formën poetike tardije, dhe që pranohet si poeti i madh i fundit i poezisë së Divanit, bashkon në vetvete, nga katër poetët e mëdhenj paraardhës, lirizmin e Fuzuliut, turqishten e pastër stambollase të Bakiut, shprehjen entuziaste dhe të sinqertë të Nedimit dhe mendimet e fuqishme të Nabiut.
Krahas Divanit, ka lënë sprovat letrare "Hüsn ü Aşk Mesnevîsi", "Şerh-i Cezîre Mesnevî", "Sohbetü's- Sâfiyye" dhe "Tezkire-i Şu'arâ-yı Mevleviyye".
Njëri prej kronogrameve të shkruar për datën e vdekjes së tij, është i Sururiut:
Geçdi Galib Dede cândan yahu.
Iku Galib Dedei nga jeta, more!
(1213 sipas Hixhrit)