Enris Qinami
Muzika e shpirtit
﷽
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Çdo tingull muzikor është si një qenie e gjallë; pasi kumbon lëshon një frekuencë, (sigurisht të padukshme), e cila krijon një ndikim të madh brenda aq sa dhe nuk është e nevojshme ta kuptojmë 'akademikisht' për tu prekur dhe për të prekur të tjerët.
Kjo gjë vërehet thellë në muzikën tradicionale ku ekziston një marrëdhënie intime midis përçuesit të tingullit dhe tingullit, dhe falë kësaj marrëdhënie shpirti 'ngrihet' në frekuenca që kapërcejnë gjendjen tonë të zakonshme. Në të njëjtën kohë, sa më shumë muzika priret drejt anës shpirtërore, aq më shumë e qetëson egon dhe e fton dëgjuesin e saj për më shumë përulësi.
Parë në dimensionin shpirtëror të muzikës, e padukshmja dhe e padëgjueshmja janë vetëm vizione dhe frekuenca që nuk i kemi parë dhe dëgjuar deri më tani.
Muzika e shpiritit është ajo muzikë e cila bëhet pjesë e harmonisë së sferave qiellore, duke u shkrirë në harmoninë universale dhe duke e ushqyer shpirtërisht njeriun, si pjesë e këtij universi, dhe kjo në çdo aspekt të qenies së tij, nga pulsi në rrahjet e zemrës e deri në dridhjet e shpirtit.