Hazreti Inajat Han
Muzika e sferave II
﷽
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Sohbet i mbajtun në Paris, Francë
Dhjetor 1922
Shumë ka qi në ket botë lypin mrekulli. Njeriu veç ta kish vrejtë se sa shumë fenomene ka në ket botë! Sa ma thellë qi e shef njeriu jetën, aq ma e gjanë i bahet jeta, e masnej çdo çast i jetës i mbushet me mrekulli e përplot madhështi. Çka na quejmë muzikë në jetën e përditshme asht veç nji miniaturë e krejt çka asht mbas kësaj, e cila ka kenë burimi edhe origjina e kësaj natyre. Prandej, të urtit e tanë kohnave e kanë pa muzikën si nji art sakral, se në te shikuesi mundet me e pa tanë pikturën e universit, edhe në alemin e saj urtaku mundet me e interpretue sekretin edhe natyrën e punës së tanë universit.
Kjo ide s'asht ide e re, e në të njajtën kohë asht gjithmonë e re. Asgja s'asht po aq i vjetër sa haku, edhe asgja po aq i ri sa haku. Afshi i njeriut për me kërkue diçka tradicionale, diçka burimore, edhe afshi i tij për diçka të re. Tanë këto tendenca munden me u shue në dijen e hakut.
Në Vedat e hinduve gjejmë: Nada Brahma-në, tingullin, tue kenë Krijuesi. Në punimet e urtakëve antik të Indisë lexojmë: "Mas së pari kanga, tani Vedas edhe urtia." Kur vijmë tek Bibla na gjejmë: "Mas pari ka kenë fjala, e fjala ka kenë Zoti," e kur vijmë te Kurani na lexojmë qi fjala u artikulue, e masnej krijimi u shpërfaq. Kjo kallxon qi origjina e tanë krijimit asht në tingull.
Pa dyshim qi fjala, në mënyrën qi përdoret në përditshmëri asht e limitueme prej atij tingulli qi asht kallxue nëpër shkrimet e shenjta. Gjuha asht e përbame prej emrave të objekteve krahasuese, e ajo qi s'mundet me u krahasue s'ka emën. Haku asht qajo qi s'mundet kurrë me u thanë, e krejt ajo qi urtakët e krejt kohnave kanë thanë asht ma e mira e asaj qi kanë mujtë me e thanë, edhe pse shumë pak kanë mujtë me e thanë tamam.
Ata qi janë thellue në shkencën materiale po aq sa shkenca moderne ka pas aftësi me arritë, nuk e mohojnë faktin qi origjina e krejt krijimit qëndron në lëvizje, me fjalë tjera në vibrim. Kjo asht gjendja burimore e ekzistencës së jetës qi prej traditës antike emertohet tingull a fjalë. Prandej shpërfaqja e parë e këtij tingulli asht për me u ndigjue, e masnej shpërfaqja tjetër asht për me u shikue. Në format e pasqyrimeve të jetës, jeta asht pasqyrue mas së pari si tingull, masnej si dritë. Kjo gjenë mbështetje në Bibël kur thuhet mas së pari ka kenë fjala e masnej ka ardhë drita. Edhe në nji sure Kurani njeriu gjenë: "Zoti asht drita e qiellës e e tokës."
Natyra e krijimit asht dyfishimi i njishit, asht ky dyfishim qi shkakton krejt dualitetin në jetë. Ky aspekt dyfishimi luen nji pjesë pozitive, e nji pjesë negative, njena shprehëse e tjetra marrëse. Prandej, në ket krijim dualiteti, shpirti edhe natyra rrijnë ballë për ballë. Teksa asht aspekti i parë, të cilin e kam quejt tingull, dhe tjetrin, të cilin e kam quejt dritë, fillimisht në këto aspekte qi i përkasin natyrave të ndryshme, ose pikëpamjeve reaguese, vetëm drita funksionon. E nëse krijimi thellohet edhe ma shumë atëherë aty gjindet tingulli. Në natyrë, e cila qëndron ballë për ballë me shpirtin, asht drita qi shpërfaqet e para, ose reagimi i parë i njeriut asht kundrej dritës, dhe reagimi tjetër i njeriut asht ajo se çka e prekë thellësisht, tingulli.
Trupi i njeriut asht mbajtës i shpirtit, nji mbajtës i kompletuem i cili i përjeton krejt aspektet e ndryshme të krijimit. Kjo nuk don me thanë qi format edhe emnat e tjerë qi ekzistojnë në botë, si shembull objektet, apo krijesat, nuk reagojnë ndaj shprehjes së shpirtit. Me e thanë të drejtën, çdo objekt reagon ndaj shpirtit edhe ndaj punës së shpirtit qi asht aktiv në çdo aspekt, në çdo emën e çdo formë të këtij universi. Në veprën madhështore të Mevlana Rumit, nji poeti dhe nji mistiku persian, njeriu mundet me hasë qi toka, uji, zjarrmi edhe ajri para njeriut konsiderohen si objekte, ama para Zotit ato janë krijesa të gjalla, të cilat punojnë me urdhnin e Tij, qashtu si njerëzit kur punojnë nën urdhnin e nji zotniu.
Nëse i tanë krijimi kish mujtë mirë me u shpjegue, atëherë kish me u shpjegue me anë të fazave të tingullit apo vibrimeve, të cilat janë të shpërfaquna në shkallë të ndryshme në tana format e larmishme të jetës. Objektet, emnat edhe format janë pasqyrime të vibrimeve të aspekteve të ndryshme. Edhe krejt çka i quejm na, materie apo substanca, krejt ato qi duken qi nuk flasin apo nuk bajnë zhurmë, në fakt krejt janë vibrime.
Bukuria e tanë krijimit asht kjo, qi krijimi ka funksionue në dy mënyra. Në nji anë asht pasqyrue, e në anën tjetër asht formësue ashtu qi me reague (ndaj pasqyrimit). Ta zamë, kemi substancën, materien qi preket, edhe sensin me e ndi prekjen. Ekziston tingulli, e në të njajtën kohë ekziston edhe sensi i ndigjimit me e ndigjue tingullin. Ekziston drita edhe forma, ekzistojnë ngjyrat edhe në të njajtën kohë ekzistojnë sytë me i pa ato.
Çka njeriu quen bukuri asht harmonia qi ai e përjeton. Çka asht muzika në fund të fundit? Çka quejmë muzikë asht harmonia e notave qi ndigjohen. Në realitet ka muzikë në ngjyra, ka muzikë në vija, ka muzikë në pyje ku gjinden lloj-lloj pemë e bimë, e në mënyrën se qysh u përgjigjen ato njena-tjetrës. Sa ma shumë qi njeriu soditë natyrën, aq ma shumë i flenë ajo në shpirt. Pse? Se aty ka muzikë. Edhe sa ma shumë qi njeriu shef dhe soditë thellësinë e jetës, aq ma shumë ai ndigjon muzikë, muzikën qi ju përgjigjet i tanë universi.
Për ate qi zemra iu asht hapë, ai s'ka nevojë me shkue deri në pyll, ai edhe në turmë mundet me gjetë muzikë. Për shkak të materializmit, në këto kohë idetë e njerëzve kanë ndryshue shumë, sa qi s'ka dallime të karaktereve. Ama nëse njeriu e studion natyrën njerëzore ka me pa qi as edhe pianoja e mijëra oktavave s'mundet me prodhue llojllojshmërinë qi natyrshmëria e njeriut ka: se qysh pajtohen njerëzit me njeni-tjetrin, se qysh nuk pajtohen; disa prej tyne shoqnohen mrena nji çasti e disa për nji mijë vjet s'munden me u miqësue. Veç të kishim pas aftësi me i pa frekuencat e ndryshme me të cilat shpirtnat janë të akorduem, oktavën qi njerëzit e ndryshëm flasin, edhe standardin qi njerëzit kanë! Nganjiherë janë dy persona qi nuk pajtohen e kur vjen i treti krejt bahen bashkë. A s'asht kjo natyra e muzikës? Sa ma shumë njeriu e studion harmoninë e muzikës, aq ma shumë ai e studion natyrën njerëzore: se qysh njerëzit pajtohen, se qysh ata nuk pajtohen, qysh asht tërheqja edhe shtytja - po aq shumë e shef qi krejt asht muzikë.
Ama ekziston nji pyetje tjetër qi duhet me u kuptue. Çka njeriu në përgjithsi din asht bota qi ai e shef përreth. Shumë pak njerëz mundohen të mendojnë për diçka përtej asaj qi ata kuptojnë përreth. Nji numri të madh u duket vetëm rrëfim kur ndigjojnë për dy botnat. Ama nëse njeriu shef mrena vetes aty nuk janë veç dy botna, aty janë shumë botna qi janë përtej asaj qi mundet me u shpreh. Pjesa përceptuese e tij shpesh asht e mbyllun për njeriun e zakonshëm. Çka ai din asht me u shprehë së jashtmi e me pranue prej po kësaj sfere aq sa mundet me marr prej vetes. Për shembull, dallimi mes nji njeriu të thjeshtë edhe nji mendimtari me thellësi të madhe kuptimi, asht se kur njeriu i thjeshtë merr nji fjalë vetëm përmes veshve të tij, mendimtari e ka marr po atë fjalë në përmasa të mendjes së tij. E njajta fjalë ka arritë veshtë e dikujt, e zemrën e tjetërkujt. Njeriu qi fjala i ka prekë veç veshtë e tij, ai veç fjalën ka pa. A njeriu qi fjala ia ka prekë zemrën, atëherë ai ka pa edhe ma thellë. Nëse ky shembull i thjeshtë asht i vërtetë, mundet me u kuptu qi njeni jeton veç në botën e jashtme e tjetri jeton në dy botnat, a i treti mundet me jetue në shumë botna në të njajtën kohë. Kur dikush pyet: Ku janë kto botna? A janë ato përmbi qiej a poshtë nën tokë? Përgjigja asht: Krejt kto botna janë në po atë vend qi na jemi. Siç tha poeti:
Zemra e njeriut, nëse zgjanohet,
bahet ma e madhe se tana qiellnat.
Për ket arsye mendimtarët e thellë të tanë kohnave kanë mbajtë nji princip rreth zgjuemjes në jetë, e ai princip asht zbrazja e vetes. Me fjalë të tjera, me e ba veten ma të qartë e krejtsisht të përshtatshëm në mënyrë qi me iu përshtatë përjetimeve ma qartësisht e ma tanësisht. Krejt tragjedia e jetës, krejt vuejtjet e krejt dhimbjet zakonisht u takojnë sipërfaqes së jetës në botë. Nëse njeriu kish me kenë tanësisht i zgjuem ndaj jetës, nëse ai iu kish përgjigjë jetës, nëse ai kish pas aftësi me e perceptue jetën, ai s'kish pas nevojë me lypë mrekullina, s'kish pas nevojë me komunikue me shpirtna, se çdo atom i kësaj bote asht mrekulli për ate qi shef me sy të hapun.
Nji përgjigje ndaj nji pyetjeje:
Çka asht përjetimi i atyne qi zhyten thellë në jetë, të cilët prekun thellësinë në brendi? Asht nji varg në persishte prej Hafizit qi thotë:
Nuk dihet se sa i gjatë asht fundi i rrugës,
ama nji e di
prej larg muzika po vjen
në vesh të mi.
Muzika e sferave, në bazë të mistikëve, asht si nji fanar porti qi njeriu e shef prej detit. Ajo i premton atij qi ai po iu afrohet fundit të rrugës.
Tash dikush mundet me thanë: Çfarë lloj muzike mundet me kenë kjo? Nëse s'kish me ekzistue harmonia në thelbin e jetës, jeta nuk kish me krijue harmoni në ket botë të larmishme. Njeriu nuk kish më pas mall për diçka qi veç nuk e ka në shpirtin e tij. Çdo gja në ket botë qi duket qi s'ka harmoni në realitet asht limitimi i shikimit të njeriut. Aq ma i madh horizonti i soditjes së tij, aq ma shumë e shijon harmoninë e jetës. Mu në thellësinë e qenies së njeriut, harmonia e tanë punës së universit përmblidhet në nji muzikë të përsosun. Prandej, ajo muzikë qi asht burim i krijimit asht muzika e sferave. Edhe ndigjohet e shijohet prej atyne qi prekun thellësinë e jetnave të tyne.
Marrë nga libri: Hazrat Inayat Khan, The Mysticism of Sound and Music: The Sufi Teachings of Hazrat Inayat Khan [shq. Misticizmi i tingullit dhe muzikës: Mësimet sufiste të Hazreti Inajat Han-it] (Geneva: Shambhala, 1996).
Përktheu: Trandofilishta (2021)