Salih Hoxha
Ekzistenca e njeriut (BEKA BIL-LAH)

Ekzistenca e njeriut

(BEKA BIL-LAH)


E vërteta dhe vetëdija e njeriut fillon pasi të përfundojë qasja duale - shirku ndaj jetës në këtë botë. Vetëm atëherë fillon manifestimi i të vërtetës, ku gjithçka është një tërësi dhe çdo njësh, çdo grimcë, çdo fragment dhe çdo imazh ndërthuret dhe tretet në njëshmëri dhe ndërton një tërësi. Ky është stacion ose nivel i fillimit të përjetësisë dhe fillimi i urtësisë mbi njohjen e vetëdijes së pastër. Ky nivel është makami i parë i përjetësisës - Beka Billah dhe quhet makami Xhem ku njeriu humbë çdo subjektivitet, nuk ka identitetin as personalititetin e vet dhe shijon shkrirjen e tij tek e vërteta - Insilah, pra shkrihet në njëshmëri - Tevhid.

Udhëtimi në makamin Xhem në Kur'an është i ilustruar me barkën e Nuhit (a.s.), udhëtimin e çifteve - dualitetit në afat prej 40 ditësh mbi ujë që simbolizon udhëtimin në dijen Hyjnore!

Udhëtimi brenda stacionit Xhem zgjat deri në estetizimin e plotë të çdo gjësendi, pra njohjen e gjësendit duke prekur përmes vështrimit peripatetik ose njohjen e çdo lëvizjeje e veprimi, njohjen e të gjitha krijesave, etikën e tyre, dorëzimin dhe funksionimin e tyre brenda tërësisë Hyjnore dhe absorbimin e çdo gjësendi në brendinë e vet - Enfus edhe njëkohësisht tretjen e tij në horizont - Afak!

Ky nivel kur shijohet në tërësinë e vet tek njeriu pason shkëputjen e tij nga tërësia duke u shndërruar në Unë - Nefs të pastër, një Njësh që nuk është individ i rrethuar dhe i kufizuar me lëkurë por është ngërthyes dhe absorbues i tërësisë.

Këtu ndodh ankorimi i barkës së Nuhit (a.s.) dhe udhëtarët zbresin nga barka.

Ky është stacion i dytë i përjetësisë - Beka Billah dhe quhet makami Hadhret ul Xhem - Gatishmëri përmanente për të dëshmuar tërësinë, njëshmërinë. Në këtë makam njeriu mbartë shenjtërinë Hyjnore dhe quhet Hazret - I shenjtë.

Pasi që Uni i pastër të estetizojë pastërtinë pason unifikimi i dy makameve Xhem dhe Hadhret ul Xhem.

Në këtë stacion njeriu përjeton përndritjen e plotë dhe arrinë nivelin e profecisë dhe quhet Xhem ul Xhem.

Tani më njeriu që ka shijuar të vërtetën - Hakk, ka përjetuar Unin (nefsin) e pastër Halk, tani është shndërruar në Zemër, në Zemrën Unike, të cilit frymëzimi, dija dhe çdo gjë tjetër në jetë i vijnë në zemër.

Ky është Njeriu i Përsosur - Insani Kamil ose Njeriu Profet - Adem!

Niveli i profecisë është prezencë e pandërprerë dhe e pafundë në botë, është frymë e gjallë, ai është përfaqësues par excellence për kohën dhe hapsirën ku ai graviton.

Njeriu profetik është KHALIFETULLAH - Përfaqësues ose coincidentia oppositorum pra, është E KUNDËRTA E TË NJËJTËS!

Me fjalë tjera ai është përfaqësues i burimit dhe mbartës i burimit Hyjnor!

Niveli i katërt dhe i fundit i përjetësisë është EHAD.

Në këtë makam s'ka fjalë as muhabet për Të ...!

Zoti e di të vërtetën!

~ S.