18 nëntor 2021
"Pa kaluar ferrin nuk mbrrihet në parajsë!"
Ky është parafrazim i hadithit të profetit Muhammed alejhi selam. Ky është rrugëtimi i njeriut nga errësira (zullumi) në dritë (Nur)!
Errësira, pra zullumi i njeriut është jeta e tij në botën duale (shirk), dhe kjo gjendje e tij është gjendja e ferrit (xhehennemi) e dirigjuar dhe e kontrolluar nga mendja e cila përveç plagëve, dhembjeve dhe vuajtjeve nuk prodhon asgjë tjetër.
Udhëtimi i tij drejt dritës (Nurit) është rruga drejt njohjes së vetëvetes, të vërtetës, pra ekzistencës.
Të gjitha vështirësitë, përditëshmëria, problemet e mbijetesës, varfëria, sëmundjet e ndryshme, problemet familjare e të tjera, të gjitha këto janë sekuenca të dimensionit të ferrit që në esencë nuk duhet të konsiderohen si negative ose të këqija. Ato janë shkëndija që sipas fjalorit Hyjnor quhen KHAJ'R dhe SHERR'!
Këto dy ajete - fakte Hyjnore KHAJ'R dhe SHERR' në mënyrë tërësisht të gabuar përkthehen si e mirë dhe e keqe. Në të vërtetë Zoti është përsosmëri dhe vetëdije e pastër, ndaj në fuqinë e Tij absolute s'ka vend për të mirë dhe të keqe sepse këto nocione i takojnë dimensionit të mendjes, të dualitetit, pra hiçit, kurse Zoti nuk i nënshtrohet logjikës së njeriut por Urtësisë së Tij - Hikmeti Ilahi (Urtësia Hyjnore).
KHAJ'R - aprovim i Zotit, KHAJRULLAH, është çdo veprim, çdo manifestim, gjithçka që ndodhë, ndodhë brenda Njëshmërisë - Tevhidit, pra tërësisë dhe harmonisë kozmike, pavarësisht se si, nga kush ose prej çka ajo reflekton është khaj'r ose aprovim nga Zoti.
SHERR' - mosaprovim, është çdo veprim, çdo manifestim prej çfarëdo cilësie të njeriut, qoftë nga dora ose këmba, nga vullneti, forca, nga syri, veshi apo gjuha e njeriut të cilën ai i atribuon vetes. Pra të gjitha këto janë sherr' ose mosaprovim nga Zoti.
Ky është argumenti i kategorisë së besimit:
"Khajrihi ve sherrihi minAllahi Teala"
"Hajri dhe sherri janë nga Allahu i lartësuar!"
Në këtë kontekst sherri ose ferri janë në shërbim të hajrit ose xhennetit që nënkupton se çdo plagë e shkaktuar nga sherri në të vërtetë është edhe një vijë - desen i mëndafshtë në shpirtin e njeriut, ose një shkallë me afër përjetësisë së tij!