Salih Hoxha
I gjalli

2 nëntor 2021

Njeriu është qenje e gjallë, përgjithmonë, por fakti se është i gjallë përgjithmonë s'ka të bëjë me jetën në këtë botë, sepse bota dhe çdo gjë brenda saj i takon dimensionit horizontal dhe ka fillim e mbarim, pra është hiç.

Në këtë kontekst, njeriu i gjallë në botën e hiçit është i përkohshëm dhe si i tillë jeton përkohësisht. Duket se lind dhe vdes por pa dëshirën e tij. Jo vetëm kaq, sepse gjithçka që vazhdon të lidhet me jetën ndodh dhe është kundër vullnetit dhe dëshirës së tij, përjashto aty këtu ndonjë koincidence aksidentale, por edhe atëherë dukuria ose ndodhia është brenda determinimit Hyjnor!

Në pamundësi për ta definuar një situatë të tillë përmes logjikës dhe mendjes, atëherë asaj i atribuon elementin "fat", pra thotë se ishte fat ose kisha fat që ndodhi kjo që ndodhi.

Ajo që ka rëndësi të kuptojmë është konteksti se njeriu nuk e jeton jetën por gjallëria - i gjalli mbanë atë në jetë për aq kohë sa e ka "fat".

Kështu do të ndodh gjithmonë derisa njeriu nuk do të njoh se çka është në të vërtetë fati dhe se përkohësia është vetëm kamuflim dhe mashtrim i mendjes i cili manipulon me idenë qenësore se njeriu jeton jetën e jo e kundërta!

I gjallë është Ai që mbanë gjithçka, edhe jetën në botë. I gjallë është Zoti - El-Hayy!

"Allahu la ilahe il-l Huvel Hayy el Kayyum" [1]

"Allahu është - s'ka Zot tjetër, Ai është i gjallë, i përhershëm - aktuel" (ajetullah)

~ S.

[1] El Bekare: 255