Manifestimi i veprimeve (Texhel-li efal)
(22 dhjetor, 2021)
Njeriu është qenie me potencial të përsosur dhe si i tillë është mbartës dhe përfaqësues i përsosmërisë. Ai zbret në këtë botë nga dimensioni qiellor - vertikal i quajtur alemi irfan - botë shpirtërore, në dimensionin horizontal në botën e quajtur alemi kevn - bota e universit (tokë).
Në alemin irfan "njeriu shpirt - qenia e përsosur" dëshmoi të vërtetën (Hakk) dhe zbriti në alemin kevn, pra në këtë botë i veshur me petkun e kësaj bote të quajtur halk, për t'u shndërruar nga haku (Hakk) në halk (Khalk).
Çka është petku që veshi njeriu?
Veshja e njeriut në halk nënkupton transformimin e tij nga alemi irfan në kushte dhe mundësi të reja të mbijetesës në dimensionin përkatës, e ato janë:
Kondenzimi i substancës unike të kulluar (qenie, energji, intelekt dhe fjalë) në objekt (materie, kohë, hapsirë dhe gjuhë).
Ky është transformimi nga një alem (botë) në një alem (botë) tjetër. Pra, nga banori qiellor në banorin tokësor.
Ky proces quhet "Ramja Adamike".
Zbritja e Ademit në tokë është gjendje e kompresionuar dhe manifestim i botës spirituele (irfan) në dekompresion ose shpërfaqje të irfanijetit brenda kohës dhe hapsirës.
Kështu filloi cikli i ri për njeriun nga Ademi Hakk në Ademin Khalk. Nga vertikalja në horizontale!
Qëllimi dhe arsyeja e ramjes Adamike?
Ardhja e njeriut në këtë alem ka një qëllim: rikthimim i tij në gjenezë.
Arsyeja?
Njeriu pretendon të kthehet sepse ishte i përzënë nga xhenneti!
Xhenneti në të cilën gjendej Ademi para ramjes ishte xhenneti irfan, pra botës së cilës i takonte, por pas dëbimit nga "atje" në qenien e tij mbeti pasioni i natyrshëm (në fitra) për rikthim atje, në botën së cilës i takon, botë e cila mendja s'e kujton sepse ajo (mendja) është element i botës nga ramja dhe s'ka asgjë me botën e gjenezës. Ajo që ka trashëguar nga alemi para ramjes është fitra e tij ose pastërtia e natyrshme e cila e tërheq në rikthim.
Ramja Adamike në tokë në të vêrtetë është hudhja pa dëshirën dhe përzgjedhjen e tij. Me ardhjen në tokë njeriu fiton një aleat të fuqishëm të cilit i dorëzohet dhe e fillon projektimin e jetës - mendjen!
Mendja e njeriut është elementi përcaktues i tij përmes së cilës futet në spiralen e botës së dualitetit - shirkut, pra në botën e mashtrimit përmes së cilës vesh rrobat e harresës kundrejt botës së vërtetë - njëshmërisë, mbi të cilën qëndron gjithçka!
Mendja është ajo që dukurisë ose fenomenit të parë i jep karakter shtrembërues, dhe ajo është manifestimi i veprimeve ose texhel-li efal.
Kur njeriu fillimin dhe përfundimin e çdo manifestimi veprues i atribuon qoftë vetes ose qenieve ose objekteve që përceptohen përmes shqisave (sy, vesh, kontakt fizik, nuhatje dhe shije) ai mbulon të vërtetën thelbësore duke u kufizuar vetëm me aq sa ofron rezolucioni shqisorë, duke mos patur mundësi të vështrimit të tablos së plotë, mozaikut në tërësi, pra vështrimin peripatetik përmes të cilës soditet tërësia. Në këtë mënyrë njeriu si peng i mendjes mbetet i ndarë ose i mbuluar dhe kështu mbetet në pikëllim dhe në frikë. I pikëlluar për të kaluarën dhe i frikësuar për të ardhmen.
Çdo manifestim veprimi që ka fillim dhe mbarim nuk është në gjendje ta përceptoi si një fillim të ri më të mirë për perspektivën e tij drejt rikthimit në parajsën irfan.
Konteksti i manifestimit të veprimit, pra, fillon më vështrimin e veprimit si vepër determinuese Hyjnore që është në shërbim të ndërtimit të tablos së plotë, për funksionimin e përsosur të alemit kevn, pra, për përsosmërinë kozmike universale dhe shijimit dhe estetizimit të xhennetit. Me fjalë tjera, ky proces është ndjekja e texhel-li efal-it, deri tek përfundimi i tij në xhen-net ul efal.
Ky proces njeriut i sjellë demonstrimin dhe përjetimin e xhennetit si vazhdim i xhennetit gjeneologjik (xhennetit para ramjes në tokë).
Kjo është niveli i parë i mësimit të shkollës profetike të rikthimit te Ademit "atje" ku ishte!