﷽
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Dashnia asht shpirt, po dashnia prej teje asht edhe ma shpirt.
Butësia asht ilaç, po butësia qi vjen prej teje asht edhe ma ilaç.
Mohimi në zylyfet e tua t'mohimit asht ba ma iman se imani.
Me ja besue shpirtin dashnisë asht e lehtë
e me ja besue dashnisë tande edhe ma e lehtë.
Krejt janë mysafirë në sofrën e butësisë tande,
po ky evlad hyzmetçari asht edhe ma mysafir.
Pa ty krejt janë të çrregulluem
po unë jam edhe ma i pagjurmë e ma i çrregulluem.
Dashnia për ty asht nji minierë me pasuni të pashterrshme,
po bashkimi me bukurinë tande asht edhe ma minierë.
Tehu indian i ndamjes asht i mprehtë,
po tehu indian i dashnisë asht edhe ma i mprehtë.
Çdo zemër me ka katër krahë fluturon kah ti —
zemra jeme i ka njiqind krahë e asht edhe ma fluturake.
Për me t’pa ty njiqind shpirta me i këmbye asht lirë,
e me e këmbye shpirtin tem gjysmak asht edhe ma lirë.
Edhe pse kjo rrotë qiellore sillet shpejt
rrota e sferave t’dashnisë sillet edhe ma shpejt.
Krejt janë të friguem prej sferës t'dashnisë
po qajo sferë asht ma e frigueme prej dhimbjes t’zemrës tande.
O Shams i Tabrizit! M’jep hyrmet qi në ty
me u ba njohës ma i madh i mrekullive.
Fjalë: hyrmet ose himmah - aspiratë shpirtnore
Burimi: Divani i Shamsi Tabrizit (1159)
Shqipëruem prej përkthimit të Chittick-ut në anglishte.
Përktheu: Trandofilishta (Nantor, 2022)
Fotografia: Saberimages