Mevlana Rumi

Mrrini muji i ngjinimit

Bismilahi Rrahmâni Rrahîm 

Xhamia Eshrefollu - Konja, Turqi 

Gazel


Mrrini Muji i ngjinimit, erdh sanxhaku i Sulltanit,

Largo duert prej buke, se erdh ‘Mâide’ sofra e xhanit!


Shpirti prej ndarjes përvidhet, dora e tabjatit lidhet,

Zemra e humbjes mposhtet, erdh ushtria e imanit!


Ushtria e atyne ‘ve’l-‘âdijât’ vuni dorën me marrë krejt,

Prej flakëve të ‘fe’l-mûrijât’ nefsi erdh n’vaj t’pishmanit.


Lopa ‘el-Bekare’ sa e mirë, dul Musa i biri Imranit,

Përmes tij i dekni u ngjall, kur u pre me nijet kurbanit.


Ngjinimi osht kurbani jonë, ama osht jetë e shpirtit tonë,

Krejt trupin ta bojmë kurban, mysafir tash e kem xhanin.


Sabri osht nji re e ambël, sa urtsia rigon ndër ne,

Se bash n’kët mujë t’bekumë, erdhen fjalët e Kuranit.


Kur nefsi osht n’zor e n’siklet, shpirti shkon drejt e n’Miraxh,

Kur dera e burgut prishet, xhani mrrin n’prani t’Xhananit.


Preden e territ zemra e shqeu, e me krah shkoi për havaje,

Ajo zemër prej meleqve erdh e ja mrrini zamanit.


Kape shpejt konopin prej ktij bunari të trupit,

N’krye bunarit thirr me za: ‘Erdh Jusufi i Kananit!’


Kur Isaja u liru prej gomari, ton duatë ju bon kabull,

Laji durt se prej qilles erdh, myzhde, sofra prej Xhananit.


Laji durt edhe gojen, as mos ha as me gojë mos b’zaj,

Lype at fjalë, at kafshatë, që ju erdh t’heshtunve t’Ramazanit.



— Mevlana Xhelaleddin Rumi

Gazeli 892 nga Divani i Shemsi Tebrizit

آمد شهر صیام سنجق سلطان رسید

دست بدار از طعام مایده جان رسید

جان ز قطیعت برست دست طبیعت ببست

قلب ضلالت شکست لشکر ایمان رسید

لشکر والعادیات دست به یغما نهاد

ز آتش والموریات نفس به افغان رسید

البقره راست بود موسی عمران نمود

مرده از او زنده شد چونک به قربان رسید

روزه چو قربان ماست زندگی جان ماست

تن همه قربان کنیم جان چو به مهمان رسید

صبر چو ابریست خوش حکمت بارد از او

زانک چنین ماه صبر بود که قرآن رسید

نفس چو محتاج شد روح به معراج شد

چون در زندان شکست جان بر جانان رسید

پرده ظلمت درید دل به فلک برپرید

چون ز ملک بود دل باز بدیشان رسید

زود از این چاه تن دست بزن در رسن

بر سر چاه آب گو یوسف کنعان رسید

عیسی چو از خر برست گشت دعایش قبول

دست بشو کز فلک مایده و خوان رسید

دست و دهان را بشو نه بخور و نه بگو

آن سخن و لقمه جو کان به خموشان رسید

El-Maide (Sofra), emri i sures apo kaptinës së pestë të Kuranit. Emri i kësaj kaptine i referohet sofrës që zbriti Isait dhe pasuesve të tij.

El-Bekare (Lopa), emri i sures apo kaptinës së dytë të Kuranit.

El-‘Âdijât (Vrapuesit), emri i sures apo kaptinës së njëqindtë të Kuranit, dy vargjet e para përmendin:


“Betohem për ata (kuaj) që vrapojnë (ve’l-‘âdijât) duke dihatur,

që nxjerrin xixa (fe’l-mûrijât) nga thundrat.”

(100:1-2)


Miraxh – ngritja e Pejgamberit Muhammed në qiell, në prani të Zotit të Lartësuar.

Tabjat – natyrë (shpesh i referohet natyrës trupore).

______