﷽
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
O bylbyl o i bukri shpendve,
ç'ka ke n'dimën qi gjimon, aman aman
Gjjth ashikëve shnoshnja zemrën aman,
hiqnja dertin q'i rrethon.
"Bilbili simbolizon njeriun e dashuruar dhe të hipnotizuar nga bukuria e lules, ndaj dhe fluturon pafund rreth saj ashtu siç krijesa gjithë jetën e saj kërkon burimin e njohjes, burimin e krijimit, Krijuesin. Gjuha e bilbilit është një gjuhë engjëllore dhe përcjell tingujt universalë që lidhin qiellin me tokën duke qenë gjuhë shpirti par excellence."
Në kafaz bylbyl si ti-e,
prej ksi dimnit jem rrethu, aman aman.
Zemra ime mush n'mërzi-e aman,
pret pranverën e dishrume.
Shpirti i njeriut është si një zog në kafaz, zogu i rrethuar nga kafazi po ashtu si dhe shpirti nga trupi na tregojnë kufijtë e ekzistencës njerëzore.
Del pranvera me lulet tuja,
mjaft ky dimën na la fjet, aman aman.
Ti bylbyl kangës pra thuja aman,
knaqju zemrën ashikëve t'shkretë.
Gjuha e zemrës, sipas interpretimit mistik, është e vetmja gjuhë e cila bën të mundur njohjen e të vërtetës, e cila shihet vetëm me të vërtetën aty ku njeriu bëhet ashik, i dashuruar dhe vetëm si i tillë e kupton ashikinë, dashurinë.
Shkurt, 2022