Enris Qinami
Paris - Tiranë
﷽
Bismilahi Rrahmâni Rrahîm
Biografia
Prej vitit 2001, jetoj në Francë ku jam përpjekur për ta sjell “frymën tradicionale” sa më afër origjinës, duke e marrë muzikën si elementin thelbësor të traditës.
Muzika është gjuha universale e cila nuk ka kufij në kohë e në hapësirë. Si e tillë ajo mundëson pikë takime në shumë elemente dhe dimensione të jetës, elemente të cilat mund të jenë të jashtëm ose të brendshëm. Në planin e brendshëm, dimensioni i muzikës shkon përtej dimensionit të thjesht estetik të artit në përgjithësi. Për atë që fillon e njeh vetveten, muzika që ai dëgjon këtu poshtë është jehonë e Fjalës Hyjnore dhe muzikës qiellore atje lart. Në muzikën mistike ekziston një marrëdhënie intime me zanafillën, e cila i shpërfaqet njeriut nëpërmjet Zbritjes së Revelatës Hyjnore. Falë saj, ne fillojmë të përjetojmë ndjesi të panjohura më parë, zbulojmë se e padukshmja dhe e padëgjueshmja janë vetëm vizione dhe frekuenca që nuk i kemi parë dhe nuk i kemi dëgjuar deri më tani.
Në udhëtimin tim jam munduar ta artikuloj muzikën sakrale me atë tradicionale dhe anasjelltas, duke vënë në dukje aspekte të caktuara të shoqërisë tradicionale shqiptare, për të kuptuar sesi përshtatet një organizim specifik shoqëror, sipas një sensi të veçantë estetik të gdhendur në një histori të caktuar. Në të njëjtën kohë, jam përpjekur të kuptoj edhe mënyrat e ndryshme falë të cilave muzika shpreh traditën për të përçuar tek gjithkush dhe në çdo kohë, mesazhin e Njëshmërisë Hyjnore.
Përherë e kam pasur ndjesinë se muzika është si një “ilaç”, jo i trupit por i shpirtit dhe se mjeshtri i muzikës duhet ta “zhysi” auditorin e tij në një oqean melodish e ritmesh të cilat duhet të vazhdojnë të kumbojnë edhe mbasi muzika ka mbaruar së ekzekutuari…
Muzika tradicionale, në këtë aspekt zë një vend të veçantë nga pikëpamja e shprehjes. Ajo ndërtohet brenda një performance komplekse që përfshin shpesh shumë protagonistë të disa zhanreve. Shprehia e saj është vullnetarisht momenti në të cilën ajo ekzekutohet dhe nuk ka qëllim tjetër veç se atë që përformuesit i japin asaj në praninë e atyre që janë prezent në atë momente të caktuara.
Kjo gjë ndryshon shumë me zhanret e tjera muzikore të cilat ndërtohen duke u bazuar thjesht tek estetika dhe nevoja për t’ju përshtatur një shijeje dhe një tregu të caktuar, në kohë dhe në hapësirë. Në ndryshim nga ato, në muzikën tradicionale, estetika është gjithnjë në varësi të etikës. Rrjedhimisht, çdo qëndrim muzikor korrespondon me një etikë, një gjendje shpirtërore fillestare. Kjo gjendje shpirtërore është edhe pikënisja drejt një udhëtimi i cili lind në brendësinë e njeriut dhe përbën thelbin e asaj çfarë ne e quajmë traditë, në realitet një proces të gjatë transmetimi kulturor dhe shpirtëror.
Muzika tradicionale e lartëson shpirtin në frekuenca që kapërcejnë gjendjen tonë të zakonshme. Sa më shumë muzika priret drejt anës shpirtërore, aq më shumë ajo e qetëson egon dhe e fton dëgjuesin e saj për më shumë përulësi. Në latinisht fjala përulësi, humilitas vjen nga fjala humus, tokë. Pak a shumë i njëjti rrugëtim është ndjekur edhe në shqip për fjalë formimin përvujtni;, nga fjala vutë - truall i sheshtë.
Kam pasur fatin të luaj muzikë në vende të ndryshme, qofshin ato fetare apo laike, nëpër kisha, teqe, tempuj budistë, salla koncertesh e festivale… Mund të përmend për shembull kishën “Oratoire du Louvre”, pjesë e Muzeut të famshëm të Luvrit, kishën “Saint-Pierre de Montmartre", atë "Saint-Merry", të gjitha këto ndër kishat më të famshme në Paris. Në çdo koncert kam kënduar këngë në shqip, dhe kam përformuar me grupin tim ilahi të traditës islame ku në disa raste janë recituar pjesë të Kuranit dhe madje është thirrur ezani brenda në kishë. Publiku francez na ka pritur gjithnjë në mënyrë të shkëlqyer, duke e respektuar maksimalisht traditën tonë. Gjithashtu kam pasur fatin të jap koncerte në vende prestigjioze këtu në Francë si p.sh.: «Château de Chambord», «Chapelle Royale de Senlis», «Petite Halle de la Villette», etj… Gjithashtu kam qenë i ftuar në disa festivale si p.sh.: «Festival de l’Art Sacré de Senlis», «Sufi Soul Festival» në Gjermani por edhe në Shqipëri ku mund të përmend «Festivali Multikulturor në Berat», ku kam luajtur muzikë në Teqen Halvetie, «Festivali Takimi mes dy botëve» në sallën e koncerteve të Katedrales Orthodokse në Tiranë etj. Të gjitha këto aktivitete kanë lënë kujtime të paharruara dhe ka qenë një përgjegjësi e veçantë të isha pjesëmarrës duke përfaqësuar traditën muzikore shqiptare dhe atë mistike sufiste.
Duke jetuar larg vendlindjes, e kisha të pamundur të bëja muzikën ashtu siç ajo lëvrohet në vendin e origjinës ndaj mu desh ta adaptoja në realitetin tim duke adoptuar element vendas dhe duke bashkëpunuar me muzikantë me prejardhje dhe horizonte të ndryshme.
Kjo gjë kishte vështirësitë e veta, por në të njëjtën kohë afronte mundësi për diçka te re dhe të ndryshme. Ndaj edhe lindi nevoja për të krijuar një grup muzikor i quajtur "Dervish Spirit";, ose shpirti i devishit në të cilin do të isha njëkohësisht themelues dhe udhëheqës artistik, duke i dhënë atij frymën tradicionale e shpirtërore sufiste shqiptare, dhe atë ballkanike në përgjithësi.
Enris Qinami
Enris Qinami ka lindur më 1978 në Tiranë. Ai ka diplomuar në: Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë, 2001; Konservatori, Paris, 2005; Diplomim pedagogjik (Diploma shtetërore franceze), 2007. Tani ai është profesor muzike në Ecole des Arts Île Saint-Denis, 2007