Zonja Irina Tweedie

Bismilahi Rrahmâni Rrahîm 

Shtegu i dashunisë asht i hollë sa tehu i shpatës;

dy vete nuk munden me ec mbi té.


Bhai Sahib-i  

 

Irina Tweedie u lind në Rusi dhe studioi në Vjenë e Paris. Mbas Luftës së Dytë Botërore ajo u martua me një oficer marine, vdekja e të cilit qe shkak për kërkimin e saj shpirtëror gjatë vitit 1954. Ajo nuk pati haber që udhëtimi i saj për në Indi gjatë vitit 1959, kur ajo ishte 52 vjeçe, në një mënyrë misterioze do ta çonte te një mjeshtër shpirtëror sufi i tarikatit (rendit sufist) Nakshibendijje - Muxhaddidije, të cilin ajo e thërriste Bhai Sahib (Vëlla i madh). Ky takim e nisi atë në një udhëtim drejt "zemrës së zemrave", pra udhës vet-ndërgjegjësuese sufiste.

 

Kërkesa e parë e shehut (mësuesit apo mjeshtrit) të saj ishte që të mbante një ditar ku do të përshkruante stërvitjen e saj shpirtërore, i cili më vonë u bë edhe libër me titullin "Daughter of Fire: The Diary of a Training with a Sufi Master" që në shqip do të përkthehej si, "E bija e Zjarrit: Ditar i stërvitjes shpirtërore me një mjeshtër sufist”. Ky ditar përfshin pesë vite dhe përbën një ruajtje mahnitëse të një shndërrimi shpirtëror... vuajtjet, qëndresa, periudhat e gjata dhe të frikshme me forcat pastruese të Kundalinit, qëndrueshmëria, lëvizjet drejt dorëzimit, malli dhe së fundmi dashuria që djeg tërësisht. Nga një këndvështrim psikologjik, ditari harton procesin e tretjes së unit, duke çveluar ngadalë-ngadalë hapjen e dashurisë e cila qëndron nën sipërfaqen e personalitetit. Irina Tweedie ishte e para grua me prejardhje nga perendimi që u stërvit në këtë zingjir të lashtë sufist.


Mbas vdekjes së mjeshtrit të saj më 1966, ajo u rikthye në Angli ku edhe nisi një grup meditimi në Londrën Veriore. Dalëngadalë grupet u përhapën nëpër Europë dhe Amerikë Veriore. Irina Tweedie u pensionua më 1992 pasi e emëroi Llewellyn Vaughan-Lee si pasardhësin e saj shpirtëror, për të vazhduar punën e saj dhe punën e këtij zingjiri sufist. Ajo ndërroi jetë më 1999.

Për më shumë të dhëna rreth “The Golden Sufi Center” apo apo rreth Irina Tweedie në anglisht mund të vizitoni:

www.goldensufi.org