Enris Qinami

Muzika tradicionale


Bismilahi Rrahmâni Rrahîm

Muzika është gjuha universale e cila nuk ka kufij në kohë e në hapësirë. Si e tillë ajo mundëson pikë takime në shumë elemente dhe dimensione të jetës, elemente të cilat mund të jenë të jashtëm ose të brendshëm. Në planin e brendshëm, dimensioni i muzikës shkon përtej dimensionit të thjesht estetik të artit në përgjithësi.


Për atë që fillon e njeh vetveten, muzika që ai dëgjon këtu poshtë është jehonë e Fjalës Hyjnore dhe muzikës qiellore atje lart. Në muzikën mistike ekziston një marrëdhënie intime me zanafillën, e cila i shpërfaqet njeriut nëpërmjet Zbritjes së Revelatës Hyjnore. Falë saj, ne fillojmë të përjetojmë ndjesi të panjohura më parë, zbulojmë se e padukshmja dhe e padëgjueshmja janë vetëm vizione dhe frekuenca që nuk i kemi parë dhe nuk i kemi dëgjuar deri më tani.


Në udhëtimin tim jam munduar ta artikuloj muzikën sakrale me atë tradicionale dhe anasjelltas, duke vënë në dukje aspekte të caktuara të shoqërisë tradicionale shqiptare, për të kuptuar sesi përshtatet një organizim specifik shoqëror, sipas një sensi të veçantë estetik të gdhendur në një histori të caktuar. Në të njëjtën kohë, jam përpjekur të kuptoj edhe mënyrat e ndryshme falë të cilave muzika shpreh traditën për të përçuar tek gjithkush dhe në çdo kohë, mesazhin e Njëshmërisë Hyjnore.


Fotografia: Enris Qinami, 2021

Muzika tradicionale zë një vend të veçantë nga pikëpamja e shprehjes. Ajo ndërtohet brenda një performance komplekse që përfshin shpesh shumë protagonistë të disa zhanreve. Shprehia e saj është vullnetarisht momenti në të cilën ajo ekzekutohet dhe nuk ka qëllim tjetër veç se atë që performuesit i japin asaj në praninë e atyre që janë prezent në ato momente të caktuara.


Kjo gjë ndryshon shumë me zhanret e tjera muzikore të cilat ndërtohen duke u bazuar thjesht tek estetika dhe nevoja për t’ju përshtatur një shijeje dhe një tregu të caktuar, në kohë dhe në hapësirë. Në ndryshim nga ato, në muzikën tradicionale, estetika është gjithnjë në varësi të etikës. Rrjedhimisht, çdo qëndrim muzikor korrespondon me një etikë, një gjendje shpirtërore fillestare. Kjo gjendje shpirtërore është edhe pikënisja drejt një udhëtimi i cili lind në brendësinë e njeriut dhe përbën thelbin e asaj çfarë ne e quajmë traditë, në realitet një proces të gjatë transmetimi kulturor dhe shpirtëror.


Shkurt, 2022